Skandali, punonjës të FSHF-së zbuluan shkeljen për faljen e Hyshmerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2017 | 12:20

Skandali, punonjës të FSHF-së zbuluan shkeljen për faljen e Hyshmerit

Thellohet skandali i faljes së dënimit të Renato Hyshmerit nga ana e FSHF-së. Kanë qenë vetë punonjësit e Federatës ata që kanë pranuar se lojtari i Elbasanit dhe klubi nuk kishin bërë asnjë pagesë për shlyerjen e detyrimit që Hyshmeri të ishte i gatshëm për të luajtur.

Oriku

Madje, ka qenë një prej drejtuesve të rëndësishëm të federatës, shefi i sektorit të garave, Lysjen Nurishmi, ai që ka deklaruar se nuk është bërë asnjë pagesë për shlyerjen e detyrimit të futbollistit. Klubi i Orikumit vazhdon të denoncojë skandalin e radhës në Federatën Shqiptare të Futbollit që duket se e ka shndërruar futbollin dhe garën si një pronë private ku rregulloret nuk respektohen më.

DENONCIMI

Pas kërkesës së bërë një ditë më parë ku Orikumi kërkon fitoren në tavolinë për sfidën e kaluar ndaj Elbasanit, dje ka ardhur edhe një tjetër denoncim tronditës nga ana e klubit bregdetar. Nëpërmjet një relacioni sqarues dërguar Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, Orikumi bën të ditur faktin se kanë qenë punonjës të federatës ata që kanë zbuluar skandalin me Hyshmerin.

“Në datën 14 nëntor 2017, parashtruam para FSHF-së kërkesën për të pasur në dispozicion mandatin e pagesës së shlyerjes së dënimit të mbetur të Renato Hyshmerit. Zyrtarët e Orikumit, Gëzim Çapoj dhe Albert Haxhija, u interesuan pranë zyrës së financës së FSHF-së dhe u informuan që nuk disponohet asnjë faturë, qoftë e futbollistit Renato Hyshmeri apo nga ana e klubit të Elbasanit.

Njëkohësisht, pas interesimit në zyrat e Financës, takuam shefin e garave pranë FSHF-së, z.Lysjen Nurishmi, i cili na tha që lojtari Renato Hyshmeri nuk ka shlyer detyrimet financiare, por FC Elbasani do t’i paguajë lekët në vazhdimësi. Në Seksionin 14 të Rregullores së Komisionit të Disiplinës, në Nenin 63, pika 1b), thuhet se ‘lojtarët, të cilët me vendim të organeve gjykuese të FSHF-së kanë detyrime financiare të papaguara, nuk do të aktivizohen deri në shlyerjen e detyrimeve’.

Pra, askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi rregulloren. Klubi i futbollit Orikumi mbetet me shpresën e vendosjes së drejtësisë dhe marrjen e 3-pikëshit në tavolinë”, shkruhej në relacionin sqarues të klubit bregdetar drejtuar Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së.

Tashmë, pritet që çështja të shqyrtohet nga Komisioni i Disiplinës dhe të vendoset në lidhje me ndeshjen e javës së kaluar ndërmjet Elbasanit dhe Orikumit që u fitua nga verdheblutë me rezultatin 2-0. Prej disa ditësh, klubi bregdetar ka bërë denoncime në lidhje me këtë çështje, duke pretenduar se është shkelur rregullorja.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"