Skandali në KOKSH, zbulohet si avulluan 43 milionë. Bezhani: Kanë futur nëpër lista persona…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 10:23

Skandali në KOKSH, zbulohet si avulluan 43 milionë. Bezhani: Kanë futur nëpër lista persona…

Nuk kanë fund skandalet në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, me akuza për vjedhje dhe shpërdorim parash në aktivitete të ndryshme ku Shqipëria ka marrë pjesë. Prej disa muajsh presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, po denoncon shkeljet e rënda financiare që pretendon se po bën sekretari i përgjithshëm Stavri Bello, me çështjen që tashmë ka përfunduar deri në prokurori.

Bezhani55

Dje Bezhani denoncoi në emisionin “Stop” në “TV Klan” shkeljet e bëra gjatë Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018”, ku shikohet që nuk përputhen shumat dhe rezultojnë rreth 43 milionë lekë të vjetër të zhdukura. “Për lojërat në Tarragona janë akorduar 61 milionë lekë të vjetër (pasqyrohet në faksimile), ndërsa kur kam kërkuar tabelën e shumës te financierja, më është dhënë një tabelë ku figuron një shumë prej rreth 18 milionë lekësh (pasqyrohet në faksimile). Lëvizin plot 43 milionë, pasi në atë event ashtu sikurse në evente të tjera pasardhëse janë regjistruar në lista persona në mënyrë të jashtëligjshme”, shprehet Bezhani.

FAKSIMILE (1)

Një tjetër skandal që kreu i KOKSH ka denoncuar prej kohësh është edhe mbajtja e tatimit të sportistëve bursistë, tatim ky që nuk është derdhur në shtet: “Kam kontrolluar në sistem te Tatimet dhe aty figurojnë me zero, pra nuk është derdhur asnjë lek. Ndërsa sportistëve u është mbajtur 15% tatim nga KOKSH”, deklaroi kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke i pasqyruar me tabelat përkatëse të marra nga Drejtoria e Tatimeve. Një situatë vërtet e turpshme, me sportistë që derdhin djersë dhe lihen në harresë, ndërkohë që nga ana tjetër zyrtarët përfitojnë shuma në kurriz të sportit që po përpëlitet prej vitesh.

Një tjetër akuzë e kreut të KOKSH ka të bëjë edhe më mbledhjet e jashtëligjshme që bëhen në këtë institucion me qëllimin e vetëm për të shpërndarë para. Gjithashtu, ai rrëfen se janë bërë mbledhje të jashtëligjshme edhe për të rritur pagat e administratës, ku thotë se Komiteti Ekzekutiv ka vendosur jashtë çdo lloj kriteri rritjen e pagave me 10%, por që kjo rritje realisht është bërë deri në 35%. Tashmë që çështja ka shkuar deri në prokurori, duhet patjetër që të zgjidhet kjo situatë e turpshme në këtë institucion.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"