Skandali me kampionet, kapitenia e Tiranës në basketboll: Tërhiqemi nga gara sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 22:57

Skandali me kampionet, kapitenia e Tiranës në basketboll: Tërhiqemi nga gara sepse…

Kategoria e parë e basketbollit për femra do të ngrejë nesër siparin me ndeshjet e javës së parë. Por ky kampionat rrezikon të zhvillohet pa prezencën e skuadrës kampione në fuqi, Shoqatës së Klubit të Basketbollit Tirana.

shkb tirana

Skuadra është lënë në mëshirë të fatit, ku dhe këtë sezon nuk ka asnjë mbështetje nga Bashkia e Tiranës. Siç dihet, një vit më parë, Tirana u nda në dy shoqata, SHKB Tirana dhe SHB Tirana, ku është pikërisht kjo e fundit ajo që merr mbështetjen nga bashkia. SHKB Tirana e trajnerit Erdal Borova, ndonëse pa asnjë mbështetje arriti të shpallej kampione, duke e kthyer titullin në kryeqytet pas 20 vitesh.

Pas këtij suksesi, klubit iu premtua nga bashkia se do t’i jepej përkrahje, por të gjitha kanë mbetur vetëm fjalë dhe sot rrezikohet seriozisht prezenca në kampionat. Këtë e konfirmon vetë kapitenia e kampioneve të Shqipërisë, Eliverta Bujari. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Bujari shpreh zhgënjimin e saj për këtë situatë të turpshme që kalon ekipi i saj: “Gjendja jonë është katastrofike dhe këtë vit realisht rrezikojmë pjesëmarrjen në kampionat. Bashkia Tiranë nuk e zgjidhi ngërçin e dy Tiranave, megjithëse ne dolëm kampion.

Vazhdojnë të mbështeten të gjitha shoqatat e tjera, ndërkohë që nuk e bëjnë të njëjtën gjë me ne. Nuk na lejojnë të stërvitemi në sallën ‘Farie Hoti’ dhe përsëri nuk është dhënë asnjë qindarkë për ekipin tonë. Të gjitha vajzat janë shumë të mërzitura dhe të demoralizuara. Vjet u bënë heroina, por me sa duket gjithçka ishte e kotë pasi edhe këtë sezon vazhdojmë të jemi në të njëjtat kushte. Le ta shijojnë kampionatin me kalamajtë dhe ne tërhiqemi”, deklaron tepër e indinjuar Bujari.

22

Më pas, kapitenia thotë se bashkia u kishte premtuar zgjidhje, por nuk e mbajti fjalën: “Kur mbaroi kampionati, bashkia na thirri duke na thënë që dolët kampion pas 20 viteve dhe do t’ju mbështesim. Ne nuk kemi kërkuar asgjë tjetër përveçse të na ndihmojë me fushën ku bëjmë ndeshjet, që mos ta paguajmë me lekët tona dhe të na mundësojë udhëtimet. Por asnjërën prej këtyre kërkesave nuk na e plotësuan. Ne ramë dakord që të luajmë edhe pa rroga, por në këto kushte, është e pamundur për ne që ta vazhdojmë kampionatin. Ku është mbështetja për sportin? Një pyetje që i drejtohet Pirro Kolekës, i cili bëri dy Tirana. Ekipi tjetër ka mbledhur lojtare nga qytete të ndryshme, ndërkohë që nuk është bërë asgjë për bashkimin e dy ekipeve dhe nuk pyet askush për vajzat e Tiranës kampione”, përfundon organizatorja

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"