Skandali me gjyqtarët, kryebashkiaku i Lushnjës: Na kanë masakruar, ja zgjidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2018 | 17:40

Skandali me gjyqtarët, kryebashkiaku i Lushnjës: Na kanë masakruar, ja zgjidhja

Lushnja është një prej dy skuadrave të Superiores që, së bashku me Luftëtarin, nuk kanë përfituar asnjë penallti në 26 javë kampionat. Përpos këtij fakti, lushnjarët janë ankuar shpesh për masakrimin që u kanë bërë arbitrat dhe rasti më i freskët ishte ndeshja me Laçin, ku pati akuza direkte për gjyqtarin Olsid Ferataj. Në atë takim, kundër lushnjarëve u akordua një penallti e paqenë, ndërsa vendimet e tjera ishin shumë të dyshimta.

Fatos Tushe

DEKLARATA

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, njëkohësisht edhe president i klubit të futbollit, Fatos Tushe, i pyetur nga “Panorama Sport” se si shpjegohet që skuadra nuk ka marrë asnjë penallti dhe është një nga klubet e penalizuar nga gjykimet, u shpreh: “Arbitrimi në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Kjo nuk vërehet vetëm te Lushnja, por te të gjithë ekipet, diku më shumë dhe diku më pak. Jemi shumë të penalizuar nga arbitrimet dhe duke qenë edhe të fundit në renditje, doza shtohet edhe më shumë. Kemi pasur penalizime pa fund dhe kjo dihet nga të gjithë. Për këtë shkak kemi pasur një protestë nga trajneri dhe lojtarët para dy ndeshjesh.

Penalizimet kanë të bëjnë me penallti të padhëna apo të dyshimta karshi nesh, si dhe për arbitrime jokorrekte dhe tendencioze ndaj Lushnjës”, u shpreh fillimisht kryebashkiaku Tushe në reagimin e tij. I pyetur se cila është zgjidhja e kësaj situate, Tushe u përgjigj: “Kjo situatë zgjidhet duke vendosur arbitra që janë të ndërgjegjshëm dhe korrektë në detyrën që kryejnë. Mundësi tjetër nuk ka, pasi po vazhdojmë pa fund me të njëjtën situatë, me të njëjtën panoramë që paraqitet vit pas viti dhe në çdo kampionat, qoftë Superiore, Kategori e Parë apo në kategoritë e tjera”, përfundoi reagimin e tij për gazetën “Panorama Sport” kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe.

Verdhejeshilët u rikthyen në Superiore pas disa vitesh mungesë, por në kampionatin e ardhshëm do të jenë të detyruar të luajnë sërish në Kategorinë e Parë. Vetëm matematika e mban skuadrën në elitë, ndërsa praktikisht gjithçka duket e mbyllur. Duke parë faktin që është një ekip i bashkisë dhe me pak shpresë për të qëndruar në Superiore, Lushnja është penalizuar në shumë raste nga vendimet e gjyqtarëve. Ekipi ka bërë paraqitje të mira deri tani duke luftuar fort në çdo ndeshje. Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim. Lushnja renditet në vendin e fundit me 10 pikë pas 26 ndeshjesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"