Skandali me Fondin Grant, Prizreni: Sporti një ‘pazarhane’, zv.ministri Shkurti inekzistent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 14:30

Skandali me Fondin Grant, Prizreni: Sporti një ‘pazarhane’, zv.ministri Shkurti inekzistent

Nga njëra anë një sit uatë e degjeneruar me KOKSH-in, për të cilën çështja e abuzimeve me fondet ka përfunduar në prokurori, ndërsa nga ana tjetër është situata kaotike me Fondin Grant, të cilin shteti shqiptar nuk e ka lëvruar ende, për më tepër në vitin e përgatitjeve për Lojërat Olimpike në Tokio. 

Sahit Prizreni

Federatat kanë mbetur pa para, por akoma më keq se kaq është se askush në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk jep një sqarim apo më saktë një datë se kur do të lëvrohet ky fond. Ai që ngre problemin e madh dhe konfirmon neglizhencën e ministrisë, madje duke akuzuar si inekzistent edhe zëvendësministrin e Sporteve, Kostandin Shkurti, është sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

 Sahit, çfarë po ndodh me fondin Grant? 

Pse nuk lirohet ai? Nuk po ndodh asgjë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë. Kemi bërë zyrtarisht një peticion, ku kemi dërguar shkresë në ministri, por deri më sot nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje zyrtare dhe nuk na japin asnjë lloj informacioni. S’kemi marrë asnjë reagim prej tyre dhe kemi të bëjmë me një përgjumje e një neglizhencë totale nga ministria. Po përfundon janari dhe në shkurt kemi Kampionatin Europian dhe nuk e dimë se si do t’ia bëjmë, nëse do të shkojmë apo jo.

Pse nuk lirohet ky fond? 

Ky është problemi, pasi ne nuk po marrim asnjë lloj përgjigjeje dhe nuk funksionon asgjë. Si mund të marrësh një përgjigje kur nuk ka Drejtori Sporti. Ne i drejtohemi ministres direkt dhe nuk e dimë a i teket që të na japë ndonjë informacion. Me pak fjalë, një situatë të cilën do ta quaja “pazarhane”. Një katastrofë e vërtetë, ku një numër i madh federatash kanë bërë prej më shumë se një jave një letër, ndërsa ende nuk dimë asgjë se çfarë po ndodh me rrogat e administratës dhe Fondin Grant.

Çfarë mendoni për shkrirjen e Drejtorisë së Sporteve?

Një mungesë e madhe profesionalizmi, të cilën do ta quaja një injorancë të atyre që e kanë marrë këtë vendim. Ministria ka marrë përsipër të menaxhojë sportin pa e ditur fare se çfarë ndodh me sportin. Është një veprim që tregon qartë se sporti është fundi i kavallit dhe askujt nuk i intereson se çfarë bëhet me të. Sot nuk kemi një zë që të flasë për problemet apo për zgjidhjen e këtyre problemeve. Kemi zëvendësministrin Kostandin Shkurti, i cili për mua është krejtësisht inekzistent, pasi qëndron aty thjesht sa për fasadë. Nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet dhe as që ia ka idenë se çfarë bëhet me sportin. Me pak fjalë, sporti është në ditët e tij më të zeza.

Si ia dilni në këto kushte, me garat që janë në prag dhe aq më tepër që jemi në një vit tepër të rëndësishëm pasi në verë mbahet Olimpiada?

Është viti më i rëndësishëm për federatat dhe sportistët, pasi është kualifikues për Lojërat Olimpike, ndërkohë që kemi mbetur në udhëkryq. Ne si federatë do të bëjmë të pamundurën që t’i dërgojmë këta djem në Europian. Do të mundohemi që me të ardhurat tona personale t’i dërgojmë sportistët në aktivitete, me shpresën që të hapet Fondi Grant sa më parë.

Përveç kësaj kemi të bëjmë me një neglizhencë të madhe edhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku çdo ditë dëgjojmë skandale ndërsa ministria nuk mban asnjë qëndrim për këtë situatë. Kjo do të thotë që të gjithë janë palë bashkë dhe nuk e di se çfarë mund t’i bësh më keq se kaq sportit.

JETON STAMOLL – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"