Skandali i Komisionit të Disiplinës, reagon Partizani: Ja si është e vërteta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2019 | 21:58

Skandali i Komisionit të Disiplinës, reagon Partizani: Ja si është e vërteta

Komisioni i Disiplinës, më datë 21.6.2019 e dënoi KF Partizanin U-17 (amator), pas një denoncimi të Studentit U-17 (amator), me humbje në tavolinë dhe heqje pikësh, pasi kishte aktivizuar lojtarë që nuk kishin të drejtë të luanin.

disiplina_1dhjetor

Me një vendim të dytë, të datës 29.6.2019, Komisioni i Disiplinës e hodhi poshtë vendimin e parë, duke i rikthyer pikët Partizanit U-17. Drejtuesit e Studentit U-17 e kanë denoncuar si skandal këtë çështje, që është pasqyruar nga “Panorama Sport” në numrin e djeshëm, ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i të kuqve.

Drejtori i Akademisë së Partizanit, Genc Tomori, sqaron situatën, duke theksuar se kemi të bëjmë me një lapsus emrash: “E kam ndjekur vetë këtë çështje, sepse ka pasur një ngatërresë. Ka qenë një lapsus me emrin e një lojtarit tonë, i cili quhet Alesandro dhe në protokoll i është shënuar Sandri. Harroje falsifikimin e dokumenteve të lojtarëve në klubin tonë, i kemi të ndara të gjitha dhe në sistem, ashtu siç janë edhe në Federatë. Jemi në vitin 2019 dhe të dhënat janë të gjitha në sistem, as që bëhet fjalë për këto gjëra. Për ne është edhe çështje imazhi. Madje, për verifikim kam çuar në FSHF edhe lojtarin bashkë me babanë e tij, kur bëra ankimimin pas vendimit të parë të Komisionit të Disiplinës”, bën të ditur Tomori.

TRAJNERI ÇELMETA – Për atë çfarë ka ndodhur realisht flet edhe trajneri i Partizanit U-17, Elvis Çelmeta, sipas të cilit, Komisioni i Disiplinës ka marrë një vendim apriori, pa verifikuar më parë në mënyrë konkrete çështjen.

11

Trajneri Çelmeta shprehet për “Panorama Sport” se vendimi i dytë i Komisionit të Disiplinës ishte plotësisht i drejtë, pasi është një lapsus dhe nuk bëhet fjalë për të njëjtin lojtar. Janë dy lojtarë me emër të ngjashëm dhe mbiemër të njëjtë, ku Alesandro Xhambazi i Partizanit është shkruar në protokoll Sandri Xhambazi, i cili është një tjetër futbollist: “Vendimi i Komisionit të Disiplinës ishte i drejtë. Personi i pretenduar nga pala tjetër dhe i publikuar nga gazeta juaj nuk është i njëjtë me lojtarin tonë. Sandri Xhambazi, i ditëlindjes 2000, nuk është futbollist i federuar me ne. Është bërë një lapsus: në vend që emri i lojtarit tonë të shkruhej Alesandro Xhambazi, është shkruar shkurt Sandri Xhambazi, siç quhet në fakt edhe lojtari që është bërë çështje. Futbollisti ynë është Alesandro Xhambazi, i ditëlindjes 15.9.2003, i cili së bashku me dokumentet përkatëse është paraqitur në Federatë. Të gjitha të dhënat janë në sistem dhe gjithçka është e rregullt nga ana jonë. Është vërtetuar që personi, për të cilin është paraqitur ankesa, është person tjetër. Lojtari ynë nuk është ai që pretendon Studenti, kjo është e gjithë historia”.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"