Skandalet në Lojërat Olimpike, Calja ngjitet 3 pozicione nga penalizimet e fundit. Zbuloni shumën që do fitojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2020 | 8:38

Skandalet në Lojërat Olimpike, Calja ngjitet 3 pozicione nga penalizimet e fundit. Zbuloni shumën që do fitojë

Peshëngritja në të gjithë botën gjatë dekadave të fundit është shoqëruar me skandale dhe raste të shumta dopingu, e sigurisht këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar as Shqipëria, ku shpeshherë kemi parë që sportistët tanë të dënohen apo t’u hiqen medaljet për shkak se kanë rezultuar pozitivë me substanca të ndaluara.briken-calja-1-1

Por këtë herë duket se do të jenë shtangistët tanë që do të përfitojnë nga shkeljet që kanë bërë të tjerët. Së fundmi raportohet se rumuni Kostantin Razvan Martin ka rezultuar pozitiv në testet e rishikuara të Lojërave Olimpike “Londër 2012”. Martin asokohe ishte renditur në vendin e tretë në olimpiadë, duke fituar medalje bronzi në kategorinë e peshave 69 kg.

Rianalizimi i mostrave të peshëngritësit rumun, zbuloi praninë e substancave të ndaluara (metenolon, stanozolol dhe dehidroklormetilt- estosteron). Ky është rasti i tretë me doping për Rumaninë gjatë vitit të fundit, ndërsa tashmë pritet të pezullohet për një vit nga të gjitha eventet ndërkombëtare. Me skualifikimin e Kostantin Razvan Martin, pritet gjithashtu të ndryshojë edhe renditja përfundimtare e garës, teksa medalja olimpike e bronzit mund të kalojë te vendi i katërt, që mbahet nga koreanoveriori, Kim Miong-Hiok. Përveç rastit të rumunit, tashmë Federata Botërore e Peshëngritjes ka skualifikuar turkun Mete Binai dhe azerin Sardar Hasanov, të cilët në Olimpiadën e Londrës renditeshin respektivisht në vend të gjashtë dhe të tetë, në kategorinë e peshave 69 kg.

E gjitha kjo ka një lidhje të drejtpërdrejtë edhe me Shqipërinë, pasi në të njëjtën kategori peshash ka marrë pjesë edhe Briken Calja, i cili ishte klasifikuar i nënti. Me këto tre pezullime, Calja do ta shikonte veten në vendin e gjashtë në olimpiadë, që do të ishte një tjetër rezultat i shkëlqyer për shtërmenasin, pas medaljeve të fituara në europiane dhe botërore si dhe arritjeve të tjera në olimpiada.

Ndërkohë, me vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike peshëngritësi kuqezi do të futej automatikisht edhe në zonën e shpërblimit (10 milionë lekë të vjetër) që i takojnë me ligj nga shteti shqiptar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"