Skandal te moshat/ Goditen trajneri dhe lojtarët e Tiranës U-19, Devolli: Na u rrezikua jeta në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 14:37

Skandal te moshat/ Goditen trajneri dhe lojtarët e Tiranës U-19, Devolli: Na u rrezikua jeta në Shkodër

Futbolli i moshave po degradon javë pas jave në vendin tonë dhe një arsye madhore janë masat e dobëta të sigurisë që merren në ndeshjet e vlefshme për U-17 dhe U-19. Protagonistë bëhen prindër të fëmijëve, trajnerë dhe natyrisht lojtarët, të cilët janë ende në fazën e adoleshencës.

DEVOLLI

Këtë herë dhuna vjen sërish nga qyteti i Shkodrës dhe më konkretisht nga ndeshja e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë Superiore U-19, të luajtur më 31 tetor në fushën sportive “Zmijani”, mes KF Shkodrës dhe Tiranës, që ka përfunduar me fitoren 0-1 të bardhebluve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i të rinjve të Tiranës, Bledar Devolli, ka treguar gjithçka ndodhi të dielën e fundit.

TRAJNERI – “Shkuam në Shkodër për të luajtur futboll dhe gjëja e parë që u them lojtarëve të mi është që të qëndrojnë larg provokimeve të kundërshtarëve, ofendimeve të tifozëve dhe të mos e kundërshtojnë asnjëherë arbitrin. Loja po shkonte normalisht deri në momentin pasi ne shënuam gol. Arbitrat nga Lezha u munduan ta menaxhonin mirë takimin. Mirëpo, ofendimet nga jashtë fushe të prindërve të fëmijëve u bënë të padurueshme, qoftë ndaj meje, ashtu edhe ndaj arbitrave.

Më e keqja ishte se pjesë e këtij llumi u bë edhe trajneri i Shkodrës, që nuk dua t’ia përmend as emrin (i referohet Rudi Piraniqit), i cili jo vetëm ofendonte arbitrin vazhdimisht, por edhe mua personalisht. Kërcënime nga më të ndryshmet dhe të mendosh në një ndeshje për U-19.

Për fat të mirë, delegat ishte Eldorian Hamiti dhe i kërkova që takimi të mos zhvillohej pa praninë e policisë. Më dha garanci, pasi sipas tij, ishin dy efektivë afër fushës. Por, më kot, pasi më e keqja dukej sikur do të ndodhte nga momenti në moment.

Sapo mbaroi ndeshja, Hamiti na thotë që të mos futemi në dhomat e zhveshjes derisa të shkojë ekipi pritës. Kështu bëjmë, por befas, një prej personave që ndodhej jashtë fushe vjen dhe në pabesi pasi kërkon të më japë dorën, më godet direkt me grusht në kokë.

Diçka e paimagjinueshme, për më tepër që ndodh në një qytet ku unë kam luajtur vetë futboll. Lojtarët e mi, duke u ndier të rrezikuar, nisën të përlesheshin me personin që u fut në fushë dhe çdo gjë doli jashtë kontrollit. Policia nuk ekzistonte dhe e parandieja që do të ndodhte diçka në atë egërsi, që frymëzohej edhe nga stafi i ekipit të Shkodrës.

Personi që më goditi kishte edhe pistoletë në brez, por fati ishte me ne atë ditë, pasi mund të kishte ndodhur ndonjë tragjedi. I bëj apel FSHF-së të marrë masa që asnjë prej ndeshjeve të mos nisë pa qenë prezente policia. Na u rrezikua seriozisht jeta”, ka rrëfyer trajneri i Tiranës U-19, Bledar Devolli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"