Skandal pas skandali, lojtari që dhunoi gjyqtarin luajti me emër tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 20:28

Skandal pas skandali, lojtari që dhunoi gjyqtarin luajti me emër tjetër

Skandal i dyfishtë në ndeshjen GramshiAda, ku ka pasur dhunë ndaj arbitrit, por edhe një mashtrim spektakolar nga ana e ekipit mik, që tashmë rrezikon shumë. Lojtari i Adës, Valter Përndreca, i cili në ndeshjen në fjalë luajti me emrin e Izmirald Osmanit në protokoll, dhunoi arbitrin Besmir Lesaj në pjesën e dytë dhe pasi u ndëshkua me karton të kuq, përfundoi në komisariatin e policisë, ku vazhdon të qëndrojë ende.
download
Ai është ndaluar në flagrancë nga forcat e rendit me akuzën e dhunës për shkak të detyrës. Ishte minuta e 70-të e takimit, kur gjyqtari nga Tirana, Besmir Lesaj, ka dhënë një penallti për vendësit. Futbollisti i Adës, Valter Përndreca, i cili luante me emrin e Osmanit, e ka ofenduar arbitrin Lesaj, i cili i ka nxjerrë karton të verdhë, çka e ka nervozuar më shumë lojtarin dhe e ka goditur me pëllëmbë kryesorin, duke marrë më pas të kuqin. Futbollisti është shoqëruar në polici pas daljes nga fusha, ku pas përfundimit të ndeshjes është paraqitur dhe gjyqtari Lesaj. Aty është zbuluar edhe skandali tjetër, ai nuk ishte Osmani, por Përndreca. “Panorama Sport” ka mësuar se deri dje në mbrëmje lojtari i Adës ka qenë ende në komisariat. Pra, bëhet fjalë për një ndalim të tij dhe jo thjesht për një shoqërim.

NJOFTIMI I POLICISË – Për ngjarjen në fjalë, Policia e Gramshit ka dalë me një njoftim zyrtar, ku bën me dije: “Në stadiumin e qytetit të Gramshit, në pjesën e dytë të takimit ndërmjet ekipeve Gramshi-Ada, futbollisti i skuadrës së “Adës”, shtetasi V.P., 29 vjeç, banues në Velipojë, ka goditur dhe fyer gjyqtarin e ndeshjes shtetasin B.L., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi lojtari nuk ka qenë dakord për dhënien e një penalltie. Lojtari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gramsh, ku janë kryer veprimet e mëtejshme procedurale”.

NDESHJA – Gramshi ka fituar bindshëm në shtëpi, ndaj dhe dhuna e Përndrecës është e pakuptimtë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Jakupi e ka dominuar takimin dhe shënoi 4 herë. Goli i parë ka ardhur nga Klaus Zani në të 27-ën, po ky lojtar ka realizuar edhe në minutën e 62- të, ndërsa dy golat e tjerë i ka shënuar kapiteni veteran, Fatjon Latifi, në minutat 72 dhe 77. Gramshi mund ta kishte fituar edhe më thellë këtë ndeshje me rastet që krijoi.
download (1)
PASOJAT – Ada mund të përballet me pasoja të rënda pas kësaj ngjarjeje, pasi ka aktivizuar një lojtar të pezulluar me emër tjetër. Përgjegjësi për këtë mbajnë edhe zyrtarët e ndeshjes, që duhet të kishin bërë verifikimet përkatëse. Ndërsa lojtari Valter Përndreca, përveç ndalimit nga policia për dhunën ndaj arbitrit Lesaj, me siguri do të marrë edhe një dënim shembullor nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.

adaaaa

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"