Skandal në Kampionatin Ballkanik, xhudistet serbe braktisën podiumin kur dëgjuan himnin e Kosovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2017 | 15:13

Skandal në Kampionatin Ballkanik, xhudistet serbe braktisën podiumin kur dëgjuan himnin e Kosovës

Në Kampionatin Ballkanik të xhudos për të rritur, të zhvilluar në fundjavë në Shkup të Maqedonisë, përfaqësuesja e Kosovës u kurorëzua me gjashtë medalje, mes tyre dy të arta që mbajtën firmën e Loriana Kukës në peshën 78 kg dhe Distria Krasniqit në peshën 52 kg.

kosova xhudo

Por, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ndodhi një rast i paprecedentë. Këtë e bën publike trajneri Driton Kuka. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kuka shkruan se dy konkurrente serbe nuk e respektuan himnin e Kosovës duke u larguar nga podiumi.

“Dje në Shkup në Kampionatin Ballkanik erdhën sinjale që edhe mbesa ime po ndërtohet si kampione e ardhshme, fitoi tri luftëra nga garueset nga Turqia, Serbia dhe në finale kundër garueses nga Bosnja Sabina Haracich. Ceremonia e ndarjes së medaljeve dje solli diçka josportive.

Garuesit nga shteti fqinj nuk qëndruan në podium gjatë ngritjes së flamurit dhe intonimit të himnit! Loriana Kuka s’u hidhërua që garuesja që i shkaktoi humbje nga Serbia nuk qëndroi në podium. E njëjta situatë ndodhi edhe me Distrien gjatë ceremonisë, por as ajo s’u hidhërua fort. Politika në sport solli shije të keqe dje në qytetin e Shkupit”, ishte mesazhi i trajnerit Kuka.

Vetë Federata Kosovare e Xhudos do ta cilësonte sjellën e kombëtares fqinje të ulët dhe josportive. Mes 11 shteteve pjesëmarrëse, Kosova fitoi dy medalje të arta (Distria Krasniqi 52 kg dhe Loriana Kuka 78 kg); tre medalje të argjendta (Fjolla Kelmendi 48 kg, Flaka Loxha 57 kg, Laura Fazliu 63 kg) dhe një medalje të bronztë me Akil Gjakovën, i cili konkurroi në peshën 73 kg. Ndërkohë Shqipëria do të nderohej me një medalje të argjendtë të fituar nga xhudisti Indrit Çullhaj në peshën 66 kg; një të bronztë me Armando Mollosmani, ndërsa Jon Vrenozi dhe Ergys Marku u klasifikuan të pestët në Ballkan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"