Skandal në Berat, bashkia nuk i paguan as lekët e rrugës ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 16:58

Skandal në Berat, bashkia nuk i paguan as lekët e rrugës ekipit

Në qytetin e Beratit vazhdimisht ka situata sa komike, aq edhe për keqardhje, e gjitha kjo për vetë mënyrën se si organizohet puna me ekipet, që jo vetëm bëjnë sport në një periudhë krize financiare, por edhe falë pasionit dhe talentit që ata prezantojnë. Vazhdojnë në mes këtyre vështirësive të njohura që të prezantojnë me dinjitet qytetin e Beratit si përfaqësues të denjë të klubit shumësportësh Tomori.

mundje (1)

Por, është vetë klubi dhe bashkia që nuk kujdesen dhe as tregojnë minimalisht respektin më të vogël për sportistët dhe trajnerët që e përfaqësojnë klubin në aktivitetet kombëtare.

Rasti më i fundit vjen nga ekipi i mundjes klasike. Siç dihet, në datat 2-3 nëntor zhvillohet Kampionati Kombëtar i Mundjes në Shkodër, që është edhe aktiviteti më i rëndësishëm i vitit. Ekipi i të rriturve të Tomorit që është edhe një nga tri ekipet më të mira të vendit, ku në radhët e tij ka dhe kampion kombëtar, do të nisej ditën e sotme (e shtunë) në qytetin e Shkodrës. Beratasit shkojnë me pretendime, në radhët e të cilit janë plot 10 mundës.

Mirëpo, çfarë ka ndodhur?! Lekët e planifikuar në fillim të vitit nga ana e klubit shumësportësh Tomori për ekipin e mundjes, duket se kanë “avulluar” dhe ekipi s’ka “kokërr” leku për t’u nisur drejt Shkodrës. Kryetrajneri Keli për dy ditë me radhë ngeli në dyert e bashkisë, duke takuar sa shefin e klubit Gentian Zëre, aq edhe kreun e sportit në bashki, të cilët e kanë “përcjellë” trajnerin e mirënjohur pa i miratuar asnjë qindarkë, duke bërë që ekipi në mes të një hezitimi fillestar për të bojkotuar finalet e kampionatit, më në fund të vendos të udhëtojë drejt Shkodrës, por me para nga xhepi.

“Një javë më parë, për mungesë fondesh, nuk shkuam në finalet e kampionatit të moshave, por po vazhdoi kështu kjo mënyrë sjelljeje, atëherë më mirë ta shkrijmë sportin e mundjes sesa të lejojmë një tallje të tillë, duke bërë sport me lekë xhepi”, deklaroi kryetrajneri i Tomorit, Ilia Keli.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"