Skandal me stadiumin, Elbasani si refugjat nuk dihet ku do të luajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 13:49

Skandal me stadiumin, Elbasani si refugjat nuk dihet ku do të luajë

Elbasanit i nevojiten pikët më shumë sesa kurrë në këto momente, pasi po sheh që rivalët të largohen në renditje dhe më pas do të jetë shumë e vështirë për t’i arritur. Humbja e fundit në Kavajë i la sërish në kuotën e zero pikëve dhe në vendin e fundit, pozicion që nuk e kanë lëshuar për asnjë moment që nga startimi i këtij edicioni.

elbasan arena1

Shpresat janë që të merret ndonjë pikë në përballjen e kësaj jave me Lushnjën, e programuar që verdheblutë të jenë pritës, të paktën sipas kalendarit, sepse gjasat janë që të “dëbohet” sërish nga Elbasani edhe për këtë përballje.

STADIUMI – Sipas të gjitha mundësive elbasanasit nuk do të mund të luajnë dot në “Elbasan Arena”, për shkak të aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë kësaj jave në këtë impiant. Janë zyrtarizuar tri ndeshje të Kombëtares U17 për turin paraeliminator të Europianit. Fillimisht do të luajnë sot ndaj Republikës Çeke, më pas të premten ndaj Norvegjisë dhe të hënën ndaj Azerbajxhanit. Tri ndeshje në vetëm një javë, të cilat nuk janë  pak. Sikur të mos mjaftonin këto përballje, është programuar në fundjavë edhe sfida Laçi-Kukësi, dy skuadra që “shtëpinë” e tyre kanë Elbasanin.

Elbasan Arena]

Edhe kjo ndeshje mund të jetë në dyshim për këtë fundjavë, por nëse ekziston ndonjë mundësi përballja mund të luhet në këtë impiant. Ndaj, me shumë gjasa edhe këtë javë elbasanasit duhet të migrojnë brenda vendit për sfidën me Lushnjën dhe duhet të mendojnë që tani për të gjetur një stadium të afërt që të jetë i lirë. Gjithsesi, ende nuk është zyrtarizuar gjë, por të gjitha të dhënat të dërgojnë në këtë konkluzion.

Verdheblutë vetëm ndaj Egnatias kanë luajtur në “Elbasan Arena” këtë sezon, ndërsa përballjen me Apoloninë e zhvilloi në Cërrik. Për fat të keq nuk ka as shumë mundësi zgjedhjeje për këtë javë, sepse stadiumi i Cërrikut është i zënë, pasi Turbina luan në shtëpi, ndërsa në Peqin do të favorizonte kundërshtarin. Edhe në Librazhd do të luajë Sopoti si ekip pritës dhe të gjitha stadiumet e afërta duken të pamundura për momentin. Gjatë javës do mësohet se ku do ta luajë Elbasani sfidën e radhës.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"