Skandal me fushat, luhet kampionati në dy stadiume/ Tifozët e shohin vetëm nga divani (TABELA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 23:50

Skandal me fushat, luhet kampionati në dy stadiume/ Tifozët e shohin vetëm nga divani (TABELA E PLOTË)

Ka disa probleme të mprehta në futbol lin shqiptar që përsëriten kaq shumë vit pas viti, saqë kanë filluar të na duken “normale”. Por nuk është aspak kështu. Po jua ilustrojmë me fakte: në javën e tretë të Superiores dy ndeshje do të luhen në stadiumin e Kamzës, dy në Rrogozhinë dhe një në Elbasan.

STADIUIMI LACI

Për ta thjeshtuar pak, po ju bëjmë me dije se vetëm Egnatia do të luajë në fushën e saj, pasi skuadrat e tjera nuk kanë stadium ose nuk e kanë gati ende atë. Mirëpo, a është normale që kampionati elitar i një shteti të zhvillohet në kushte të tilla? A është normale që në 10 ekipe pjesëmarrëse, vetëm katër prej tyre të kenë fushën në gjendje për të luajtur? Sot mund të luajnë në stadiumin e tyre Tirana, Vllaznia, Skënderbeu dhe Egnatia. Kastrioti luan prej dy vitesh në Kamzë, Partizani luan ku të mundet, Teuta ka luajtur në Elbasan dhe tani në Rrogozhinë, Kukësi ku të mundet dhe së fundmi u është shtuar edhe Laçi, që për shkak të problemeve me fushën, do të luajë në Kamzë të hënën.

KAOSI ME TIFOZËT

Futbolli luhet për tifozët, thuhet rëndom… Po kur cilësisë së lojës i shtohet edhe gjendja e amortizuar e stadiumeve ose edhe mungesa totale e tyre, çfarë ndodh? Si i trajton kampionati shqiptar tifozët e vet? Sa krutanë janë shtuar në shkallët e stadiumit të Kamzës? Sa kuksianë janë të lumtur që duhet të udhëtojnë prej dy vitesh në Elbasan për të parë skuadrën e tyre? Po tifozët e Partizanit, a ndihen mirë kur ikin kaq shpesh në Elbasan? Po Laçi? Po Dinamo? E gjitha kjo duket një tallje e madhe. Në Shqipërinë ku qeveria dhe federata mburren për stadiumet moderne dhe për finalen e Ligës së Konferencës që do të luhet në “Air Albania”, kemi kampionatin ku gjysma e skuadrave braktisin qytetet dhe tifozët e tyre.

Kemi bashki që as nuk duan t’ia dinë për terrenet sportive, ndonëse miratojnë çdo vit qindra milionë lekë nga taksapaguesit për sportin. Nga ana tjetër, FSHF i la shqiptarët 106 ditë pa kampionat këtë sezon dhe befas na del që edhe fushat e “Air Albania”-s, e Teutës dhe Laçit nuk janë gati. Edhe donin ndërkohë që të hapeshin stadiumet për tifozët. Gallatë e madhe…

SUPERIORE (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"