“S’kam parë si Kristiano, erdha në klubin më të madh në botë”, Rangnik prezantohet te Junajtid: Kam refuzuar Çelsin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2021 | 14:37

“S’kam parë si Kristiano, erdha në klubin më të madh në botë”, Rangnik prezantohet te Junajtid: Kam refuzuar Çelsin!

Mjeshtri i kundër presingut u prezantua në tokën angleze. Ralf Rangnik mbajti konferencën e parë për shtyp si trajneri i Mançester Junajtidit. Trajneri gjerman, me një karrierë të gjatë mbi shpatulla, nisur në vitin 1983 me Viktoria Bahnang, firmosi kontratën deri në vitin 2024, por vetëm deri më 30 qershor 2022 si trajner, sepse pastaj do të bëjë konsulentin sportiv. Ai shpalosi planin e tij në “Old Trafford”. “Do të doja t’iu thosha përshëndetje të gjithëve, faleminderit që jeni zgjuar herët. Është konferenca më e hershme në të gjithë jetën time. Për shkak të ndeshjes së të dielës dhe stërvitjes, nuk kishte alternativë. Mezi po pres të takohemi në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm me ju (mediat)”.

RANGNIK

Keni folur me Çelsin pas shkarkimit të Lampardit?

Në atë kohë, kur Çelsi më kontaktoi, ata folën vetëm për mundësinë e një kontrate 4- mujore pa opsionin për të parë më tej. Këtu po flasim për 6 muaj dhe 2 vite rol këshilltari. Nëse një klub si Junajtidi të kontakton, nuk mund ta refuzosh.

Çfarë mendoni për ndeshjen e fundit kundër Arsenalit?

I kam parë sigurisht të gjitha ndeshjet e fundit, edhe përpara se klubi të më kontaktonte. Jam goxha i vetëdijshëm për atë që po ndodh këtu dhe në Premier Ligë. Është e qartë që në skuadër kemi talente me bollëk. Objektivi kryesor për mua është të sjell më shumë ekuilibër në skuadër. Edhe të enjten pësuam dy gola dhe na u deshën 3 për ta fituar ndeshjen. Po pësojmë shumë gola. Detyra ime do të jetë të ndihmoj skuadrën për të fituar më shumë ekuilibër.

A është kjo sfida më e vështirë e karrierës suaj?

Është një nga klubet më të mëdha, në mos më i madhi në botë. Është një sfidë e madhe. Kam punuar me të tjerë yje, te Shalke ishte një situatë e ngjashme. Jam më shumë se i lumtur që do të punoj me këtë grup lojtarësh.

Cili është objektivi?

Qëllimi do të jetë t’i fitojmë ndeshjet. Së pari do të prezantohem me lojtarët kur të stërvitemi në orën 15:00, t’u bëj me dije se cila do të jetë qasja. Unë kam mjaftueshëm përvojë për të ditur se nuk mund të ndryshosh gjithçka në mes të sezonit. Unë jam shumë ambicioz dhe dua të fitoj. Duam të bëjmë një sezon të suksesshëm derisa të jetë e mundur. Duhet të jemi realistë. Ka diferencë mes nesh dhe tri klubeve të para në këtë moment, por unë jam ambicioz.

Keni shanse për të mbajtur rolin e trajnerit përtej këtij sezoni?

Për momentin është një rol i përkohshëm dhe unë e di që klubi do të kërkojë një trajner të ri. Nëse gjërat shkojnë mirë, ashtu siç bëra te Lajpcigu, mund të rekomandoj që ata të vazhdojnë të punojnë me mua për një tjetër sezon.

Besoni te skuadra aktuale?

Unë dhe bordi kemi të njëjtin mendim, që nuk do të ketë shumë ndryshime në menaxhim. Skuadra është mjaftueshëm e fortë për të konkurruar në Premier Ligë. Tri ekipet e para janë shumë solide dhe kanë trajnerë të shkëlqyer. Kur Jyrgen erdhi te Liverpuli, skuadra që trashëgoi nuk ishte më e mirë se kjo që unë kam tani te Mançester Junajtidi. Sanço është një lojtar që unë e njoh nga Bundesliga dhe e kam takuar në Londër që kur ishte 17 vjeç. U përpoqëm ta bindnim që të vinte te Lajpcigu, por disa muaj më vonë ai shkoi në Dortmund dhe nuk ishte një hap i gabuar nga pikëpamja e tij. Kemi shumë talente të jashtëzakonshëm, si Rashford, etj.

Sa e vështirë do të jetë që të zbatoni stilin tuaj?

Duhet t’i kontrollojmë ndeshjet. Duhet të ndihmojmë skuadrën që të luajë së bashku, duhet të ndihmojmë shpirtin e grupit. Nëse krahasojmë dy pjesët e ndeshjes kundër Arsenalit ishin krejtësisht të ndryshme. Të kesh këta tifozë unikë pas, na ndihmon… e pamë në pjesën e dytë. Nuk është e lehtë dhe unë nuk mund ta bëj këtë me një apo dy seanca stërvitore, një apo dy javë. Por, kontrolli i ndeshjeve është objektivi im kryesor.

Karrik do të vazhdonte të ishte trajner i skuadrës së parë, por ai vendosi të dorëhiqet. Çfarë mendoni?

U takova me Majkëllin dy ditë më parë. Ishte një bisedë private për më shumë se një orë. U përpoqa ta bind për të qëndruar, por ai e kishte marrë vendimin e tij. Jam më shumë se i lumtur që do të punoj me stafin aktual, sepse kam nevojë për eksperiencën e tyre me skuadrën aktuale. Do të kërkoj tre apo katër pjesëtarë të tjerë në staf në javët e ardhshme, por për shkak të Breksitit nuk është aq e thjeshtë. Shpresoj të mund t’i marrim një apo dy javët e ardhshme, por nuk mund t’iu them ndonjë emër.

A do të ketë nevojë Ronaldo që të përshtatet në skuadrën tuaj?

Ti duhet ta përshtatesh gjithnjë stilin e skuadrës tënde sipas lojtarëve. Ai është një profesionist i shkëlqyer. Në moshën e tij, nuk kam parë asnjë futbollist që të jetë kaq i fortë fizikisht. Ka të bëjë me mënyrën se si do ta zhvillojmë gjithë skuadrën, jo vetëm Kristianon. Ne luajmë në kampionatin më të fortë në botë. Të gjithë shokët e tij të skuadrës duhet të bëjnë të njëjtën gjë.

Do të kërkoni lojtarë të rinj në merkaton e janarit?

Nuk kam folur për lojtarë të rinj dhe nuk është koha për këtë. Duhet të njohim skuadrën aktuale në detaje. Ekipi nuk është i vogël. Pas Krishtlindjes ndoshta do të kemi kohë për të folur për futbollistë të rinj. Merkatoja e janarit nuk është periudha më e mirë për të blerë lojtarë.

Ka qenë Premier Liga gjithnjë një ambicie e juaja?

Siç e dini, unë kam studiuar gjuhën angleze për t’u bërë një mësues anglishteje dhe fizkulture në fund të viteve ‘70, fillim vitet ‘80. Kam jetuar në Brajton dhe rashë në dashuri me futbollin anglez. Merrja trenin ekspres nga Brajtoni drejt Londrës çdo javë në stacionin “Victoria” dhe ndiqja ndeshjet në “Highbury”-n dhe “White Hart Lane” e vjetër.

A është Haland një opsion? Flitet se nëse ju e sillni në Mançester do të përfitoni 10 milionë euro bonus…

Dhjetë milionë për Erling Halandin, 10 milionë për Kilië Mbapenë, 10 milionë për Robert Levandovskin, 10 milionë për Joshua Kimishin. Sigurisht që janë marrëzira. Nuk ka asnjë klauzolë të tillë në kontratën time.

Ku mendoni se është pozicioni i Junajtidit?

Në një botë ideale, ne do të ishim brenda katër vendeve të para rregullisht, por duke luftuar edhe për titull. Jemi ende në Ligën e Kampioneve dhe shpresojmë që të shkojmë më larg në këtë kompeticion. ADN-ja e këtij klubi është e qartë, duhet të jesh sa më i suksesshëm që të jetë e mundur.

Keni folur për akademinë?

Jo, të jem i sinqertë. Pata një bisedë të gjatë me Xhoel Glejzër (pronarin) dhe fola gjithashtu për thuajse dy orë me Olen, përpara ndeshjes me Çelsin. Ai m’i tregoi të gjitha detajet e skuadrës. Por nuk folëm për planet afatgjate, por për situatën aktuale.

Jeni takuar me Fergusonin?

Pas një fitoreje 2-0 në Gjermani, Junajtidi na mundi në gjysmëfinalet e Champions-it në 2011-ën me Shalken 4-1 në shtëpi dhe Ferguson më ftoi për një gotë verë në zyrën e tij. Ai e shijoi gotën e tij të verës më shumë se unë, sepse ne nuk kishim asnjë shans në atë ndeshje. Kjo ishte hera e parë që e takova Sër Aleks dhe u ritakuam në 2015-ën në një event të revistës “Kicker” për dhënien e disa çmimeve. Hëngrëm darkë së bashku dhe mezi po pres të takohem sërish me të në javët e ardhshme.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"