“S’kam arritur asgjë me Teutën”, Lorenco Vila: Do t’ia dalim me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 22:33

“S’kam arritur asgjë me Teutën”, Lorenco Vila: Do t’ia dalim me Kukësin

Lorenco Vila nuk e fsheh gëzimin e fitores ndaj Skënderbeut, teksa pas ndeshjes atë fitore ia dedikoi xhaxhait të tij. Në një intervistë për “Panorma Sport”, Vila shprehet se Teuta e nisi sezonin me disa gabime, por tani janë në top formë dhe nuk dua të ndalen më. Sulmuesi beson se ekipi i tij edhe ndaj Kukësit do të arrijë të triumfojë.
lorenco vila
Lorenco, sa e vështirë ishte të luaje pas asaj fatkeqësie?
Normalisht, të humbësh xhaxhain është shumë e rëndë. Si unë, dhe Emiljano, kemi gjetur forca që të ishim në fushë. I falënderojmë të gjithë për mbështetjen dhe ajo fitore ndaj Skënderbeut ishte për xhaxhain tim.

Fituat ndaj Skënderbeut duke bindur me lojë, jeni i kënaqur apo prisnit më tepër?
Ishte një fitore plotësisht e merituar, që tregoi vazhdimësinë dhe momentin e mirë që po kalon skuadra. Tani duhet të mendojmë për Kukësin, sepse kërkojmë ta vazhdojmë serinë e fitoreve. Kalendari nuk na favorizon, por ne duhet të mbajmë këtë ritëm, pasi javët e fundit bëhen më të egra. Jam i kënaqur nga ekipi dhe shpresoj që të vazhdojmë me këto ritme.

Si është gjendja në skuadër në prag te ndeshjes me Kukësin?
Mendoj se jemi në formë optimale dhe nuk do të kemi probleme në këtë drejtim. Gjithsesi, do të jetë një ndeshje ku do të shpenzojmë shumë energji, pasi dhe Kukësi është një ekip shumë fizik.

Duket se freskia fizike e ekipit po bën diferencën…?
Ju mund ta shihni atë tani, disa lojtarë janë në një formë shumë më të mirë se në fillim. Kjo është gjëja më e rëndësishme.
Kuper Kukesi
Si e parashikon dopioduelin me Kukësin, pasi do të luani edhe në Kupë?
Kukësi është një skuadër e rrezikshme. Deri më tani kemi bërë paraqitje të mira ndaj tyre si në fushën e tyre, si në Durrës. Kemi besim të plotë se do t’ia dalim edhe këtë herë. Por veç zemrës, në futboll vlen shumë dhe qetësia mendore. Luhet me këmbë dhe me kokë…

Teuta ka lënë disa pikë më ekipet e vogla që sot mund të vlenin shumë…
Është e vërtetë që kemi pasur disa probleme në fillim dhe se kemi humbur shumë pikë në kampionat, sidomos në pjesën e parë të sezonit. Por kjo është e kaluar.
Teuta
Çfarë ka ndryshuar në skuadër, sipas jush, pas rifillimit të kampionatit?
Çdo fitore i jep vetëbesim ekipit. Kemi një grup të mirë. Ne nuk ndalemi duke punuar, edhe kur gjërat nuk ishin kështu. Sezoni ka hyrë në një pikë kulminante, ku veç kampionatit, duhet të eliminojmë Kukësin dhe në Kupë. Kështu që veç tri vendeve të para në kampionat, kemi mundësi të fitojmë diçka më shumë. Dhe kështu jemi gati për të fituar Kupën e Shqipërisë.

Ku e sheh Lorenco veten pas përfundimit të sezonit?
Unë s’kam arritur ende asgjë këtu. Nuk e kam kompletuar detyrën time te Teuta. Unë nuk dua të largohem pa fituar trofe me këtë formë. Tani qëllimi ynë i vetëm është t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura dhe ta presim biletën për në Europë. Dua të ndihmoj klubin për të fituar trofe me golat e mi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"