Skaloni: Nuk jam as Guardiola dhe as Ançeloti! Ngjarja ne restorant me Mesin tregon se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 18:08

Skaloni: Nuk jam as Guardiola dhe as Ançeloti! Ngjarja ne restorant me Mesin tregon se…

Diçka më shumë se tre muaj që nga fitimi i titullit kampion bote në Katar, Argjentina do të kthehet në fushë, teksa në të gdhirë të së premtes me orën e Tiranës do të përballet në një miqësore kundër Panamasë. Trajneri i saj, Lionel Skaloni, është shfaqur para gazetarëve, duke folur për pritshmëritë e “Albiçelestëve” që për herë të parë do të zbresin në fushë me fanellën me tri yje.

skaloni mesi

Trajneri i Argjentinës e ka marrë me humor konferencën, duke u treguar gazetarëve se: “Nëpër rrugë kur përballem me njerëzit më thonë ‘Scaloneta’ në vend që të më thërrasin me emrin tim, Lionel. Të them të drejtën, kjo nuk më pëlqen shumë, por nëse njerëzit e mendojnë të arsyeshme kështu nuk mund të bëj gjë tjetër”.

Skaloni ka komentuar edhe trofeun tjetër që fitoi pak javë më parë në çmimet “The Best”, ku ai u shpall trajneri më i mirë, duke lënë pas vetes Karlo Ançelotin dhe Pep Guardiolën. Gjithsesi, Lionel Skaloni nuk ka dashur ta vendosë veten e tij në një shkallë me dy trajnerët, pavarësisht se në ndryshim prej tyre ai ka në vitrinë trofeun më të lakmuar, titullin botëror. “Kur fiton një titull botëror gjithçka ndryshon, por, thënë kjo, nuk mund të jem në të njëjtën shkallë me Ançelotin dhe Guardiolën. Çmimi i fituar më bën të ndihem krenar, por ata të dy janë pesha të rënda”, nënvizoi trajneri i Argjentinës.

Pas Lionel Skalonit, ai ka folur për Lionelin tjetër, Mesin. Ai ka nënvizuar se ndodhia në restorantin në Buenos Aires tregon dashurinë e tifozëve ndaj Leos. “Ajo që ndodhi me Leon ishte shprehje e dashurisë së tifozëve ndaj tij. Më pëlqen vërtet fakti se kombëtarja argjentinase është e të gjithëve. Shoh argëtim, alegri, entuziazëm. Sa për Mesin e kam parë në formë mjaft të mirë dhe do të luajë. Për vazhdimësinë e tij në kombëtare duhet të pyesni vetë Leon. Ne e llogarisim pjesë të ‘La Selecion’, vetëm nëse ai thotë mjaft. Unë gjithsesi do ta bind që të vazhdojë me Argjentinën”, tha Skaloni.

Trajneri i Argjentinës i doli në mbrojtje edhe Rodrigo de Polit, i cili dashur pa dashur u përfshi në një polemikë për një deklaratë të lëshuar javë më parë, teksa e cilësonte Argjentinën e vitit 2022 si Argjentinën më të mirë të të gjitha kohërave, çka solli edhe reagimet e gjeneratave të tjera që kishin fituar më parë Botërorin. “Deklarata e De Pol ishte e sinqertë dhe pa asnjë notë negativiteti përkundrejt gjeneratave të kaluara të futbollit argjentinas. Mendoj se është një budallallëk për të diskutuar se cila kombëtare e Argjentinës është më e mira e historisë. Por me sa duket jemi mësuar të debatojmë për gjëra që nuk kanë kurrfarë rëndësie. Nëse më pyesin mua, unë jam me të tria skuadrat kampione bote (1978, 1986, 2022)”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"