“Skadon” skuadra e Kategorisë së Parë, nga nesër gjithë ekipi pa kontratë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2021 | 14:41

“Skadon” skuadra e Kategorisë së Parë, nga nesër gjithë ekipi pa kontratë

Lushnja drejt “skadencës”. Data 31 maj përkon me fundin e kontratave për të gjithë futbollistët që mbyllën sezonin 2020- 2021. Klubi nënshkruan vetëm marrëveshje 1-vjeçare, ndaj askush nuk e ka më të ardhmen të sigurt dhe prej ditës së nesërme dalin të lirë në treg.

EGNATIA LUSHNJA

Ka lojtarë që do të tentojnë të sistemohen diku gjetkë, por edhe nga ata që do të presin drejtuesit lushnjarë. Gjasat janë që pas javës së dytë të qershorit të ketë ndonjë zhvillim për këtë pjesë. Drejtuesit duan të nxitojnë, që të paktën të “blindojnë” ata elementë të cilët cilësohen të rëndësishëm. Gazeta mëson se në klub kanë filluar punën për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri, megjithatë është herët për të folur për zyrtarizime.

SPAHO – Mikel Spaho nuk ka në plan që ta mbyllë me futbollin. Mbush 39 vjeç këtë verë, por ndihet ende në gjendje që të luajë. Portieri, gjatë një bisede me “Panorama Sport”, rrëfen: “Unë do të jem i gatshëm gjithnjë për Lushnjën. Nëse do të më kërkohet që të luaj, absolutisht që do të jem aty në portë. Sikundër edhe dihet prej të gjithëve, unë u tërhoqa para dy vjetësh, megjithatë u riktheva. Skuadra ishte në kushte emergjente, pasi u dëmtua portieri i parë. Kuptova që mund të jepja njësoj, nuk pata kurrfarë problemi dhe e ndiej që mund të luaj sërish”, u shpreh Spaho, i cili luan që nga viti 2001 futboll.

Gardiani u tërhoq më 11 maj 2019, pas ndeshjes EgnatiaLushnja dhe u emërua trajner i U-13 të Lushnjës. Kjo zgjati vetëm një sezon, pasi “veterani” u rikthye sërish në portë dhe mori shiritin e kapitenit. Teksa flet për mbylljen e sezonit, ai e cilëson të merituar kreun e minigrupit të dytë. “Vendi i pestë ka qenë i merituar për skuadrën e Lushnjës. Faza e tretë ishte në kompleks e qetë, por e vlerësuar nga ana jonë. E mbyllëm në krye të minigrupit. Tashmë, jemi pushim pas një sezoni edhe me sakrifica nga dëmtimet, pandemia, që kanë qenë të pandara me Lushnjën”, përfundoi 39-vjeçari.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"