S’ka pushim, Luftëtari në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2015 | 18:06

S’ka pushim, Luftëtari në fushë

LuftetariPas një mungese 5- vjeçare, Luftëtari është rikthyer në këtë fundviti në krye të klasifikimit në grupin ku bën pjesë. Natyrisht që meritë në këtë sezon ka edhe dyshja e trajnerëve Hysi-Ciko, të cilët, me grupin që kanë ndërtuar, kanë arritur të bindin edhe skeptikët e fillimsezonit. Por, shpallja si kampionë dimri ka ardhur si rezultat i mbështetjes së donatorit Glikor Tavo, por edhe tifozëve që nuk u kanë munguar bluzinjve si në ndeshjet brenda fushës, ashtu edhe tek ato në transfertë.

Deklarata

Pavarësisht se fitorja ndaj Shkumbinit është lënë pas,  trajneri Hysi i rikthehet edhe një herë tjetër paraqitjes së ekipit të tij në atë përballje.

“Të them të drejtën nuk e kishim parashikuar rezistencën e Shkumbinit në mbrojtje dhe në mesfushë. Kjo bëri që të kishim vështirësi në gjetjen e golit të parë të takimit. Gjithsesi ishte një fitore me shumë vlera, e cila na motivon edhe më shumë për të arritur rezultate pozitive vitin e ardhshëm. Por, për të arritur objektivin final, duhet të bëjmë më shumë, duke filluar nga merkato e dimrit”, ka mbyllur Hysi. Ky i fundit nuk i ka lënë për asnjë moment pushim futbollistët e tij, edhe pse duhet rreth dy muaj nga rifillimi i garës. Objektivi është që lojtarët të jenë në tonus dhe të mos humbasin formën sportive, por gjithashtu gjatë procesit stërvitor të rregullohen problemet e vogla taktike që ekipi ka shfaqur deri më tani. Nga ana tjetër, po punohet në merkato, ku pritet të afrohen disa lojtarë në reparte të veçanta. Luftëtari mban vendin e parë në Grupin B, me një diferencë prej tri pikësh nga rivalët e Pogradecit.

Përgatiti: TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"