S’ka panik për Frashërin, Martini me “sytë” nga federimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 0:04

S’ka panik për Frashërin, Martini me “sytë” nga federimet

Teuta “arkivon” humbjen me Laçin. Kohë për të qarë pikët e lëna nuk ka, ndaj edhe skuadra ka nisur direkt përgatitjet për ndeshjen e kësaj të diele kundër Bylisit. Edi Martini shpreson që të ketë në dispozicion edhe Idelino Kolubali, Ildi Grudën e Rubin Hebajn.

teuta

Asnjë nga blerjet e reja nuk debutoi, megjithatë shanset që të jenë fushë për javën e 19-të janë të mëdha. Në klub janë të bindur se dokumentacioni i tyre do të jetë gati që sot, ndaj edhe Edi Martini do të ketë më shumë përforcime për sulmin. Pa panik ka kaluar edhe ai dëmtim që pësoi Stivi Frashëri. Portieri është stërvitur dje normalisht, ndaj s’ka vend për rrezik. Gati pritet që të jetë edhe Renato Arapi, i cili duket se i ka kaluar problemet fizike.

STËRVITJA – Teuta ka zbritur që dje në fushë. Skuadra ka kryer një seancë në kompleksin “Olympic Park”, e cila ishte përqendruar te korrigjimi i të metave nga ndeshja e fundit. Me ndarjen e lojtarëve në grupe dhe formacioneve të përziera, Edi Martini u kërkoi të tijve që t’i zbatojnë me përpikëri detyrat. Ritmi i stërvitjeve ka qenë i lartë dhe, veç akumulimit të forcës e kondicionit fizik, pas dore nuk u la as plani tekniko-taktik.

SYNIMET – Muajt janar e shkurt do të jenë përcaktues për të ardhmen e Teutës. Sfidat me Bylisin, Tiranën, Luftëtarin dhe Vllazninë do të hedhin dritë mbi objektivat. Në këtë optikë, 450 minutat e radhës konsiderohen si shumë të rëndësishme për të përcaktuar zyrtarisht pretendimet e durrsakëve. Në klub ëndërrojnë titullin në këtë vit jubilar, e megjithatë të kënaqur do të ishin edhe me pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"