“S’ka objektiv që nuk arrihet”, Mezani përgëzon Luftëtarin, por do pikë ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 21:41

“S’ka objektiv që nuk arrihet”, Mezani përgëzon Luftëtarin, por do pikë ndaj Teutës

Luftëtari, pas tri ditëve pushim, u është rikthyer përgatitjeve për takimin e javës së 14-të, atë me Teutën. Fitorja me përmbysje, 2-1, me Tiranën ka përçuar një tjetër frymë dhe atmosferë brenda ekipit gjirokastrit. Për të vijuar serinë e rezultateve pozitive, trajneri Gentian Mezani, para se të niste përgatitjet për transfertën me Teutën ka zhvilluar një analizë të shkurtër të ndeshjes së fundit me Tiranën.

Mezani

ANALIZA- Në orën 14:30 bluzinjtë, pasi janë përshëndetur me njëri-tjetrin dhe trajnerin Mezani, kanë zbritur në fushën e stadiumit “Gjirokastra” për të vënë në zbatim programin e seancës së djeshme. Trajneri Mezani, pasi i ka falënderuar futbollistët për shpirtin e garës dhe gjithçka shpalosën në fushë ndaj Tiranës, mes të tjerave u ka kërkuar lojtarëve përqendrim dhe agresivitet para çdo situate.

“Më vjen mirë që pas disavantazhit të pjesës së parë ditët të reagonit, duke konfirmuar se të bashkuar s’ka objektiv që nuk arrihet. Më pëlqeu fryma e grupit dhe e sakrificës dhe ky fakt më bën besimplotë për të synuar të tjera rezultate pozitive. Këtë gjë u kam kërkuar. Të gjithë e dini se futbolli i fortë dhe agresiv, karakteristikë e kampionatit tonë, duhet vlerësuar në maksimum. Fituam një ndeshje të rëndësishme, por asgjë s’do të mjaftonte, nëse nuk do të ecim me ritmin e takimeve të fundit. I keni të gjitha mundësitë për të dhënë më të mirën tuaj, ndaj kam shumë besim te ju për të synuar akoma më lart”, iu drejtua mes të tjerave trajneri Mezani lojtarëve para seancës së djeshme.

MUNGESAT- Me mungesën e Nemanja Janicic, Vlladan Milosavljev, Xhekson Ferriera dhe Balsa Radoviç, gjirokastritët startuan dje përgatitjet për Teutën. Janiçiç dhe Milosavljev munguan me leje nga klubi, që u ka lënë më shumë kohë, pasi kanë udhëtuar pranë familjeve të tyre pas ndeshjes me Tiranën. Edhe braziliani Xhekson ka pasur lejen e klubit, pasi ka udhëtuar drejt Greqisë. Ndërsa, Radoviç vijon terapinë pas dëmtimit që pësoi ndaj Kastriotit. Ndaj Teutës, Luftëtari nuk ka asnjë lojtar të pezulluar dhe ndërprerja do t’i shërbejë Rrocës dhe Aleksit që të kapin formën e duhur, pasi vijnë nga dëmtimet e gjata.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"