“S’ka ndeshje të lehta, por jemi gati”/ Emiliano Vila: Teuta me entuziazëm, në Shkodër për vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2022 | 11:17

“S’ka ndeshje të lehta, por jemi gati”/ Emiliano Vila: Teuta me entuziazëm, në Shkodër për vazhdimësinë

Kapiteni i Teutës, Emiliano Vila, ka folur në vigjilje të ndeshjes së sotme kundër Vllaznisë, sfidë që do të luhet në orën 15:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vila shprehet se durrsakët pas suksesit ndaj Tiranës do të kërkojnë 3 pikët edhe në Shkodër.

Emiljano Vila

Mesfushori i bluve shprehet se në këto momente nuk duhet parë renditja, por duhen të marrë ndeshjet një e nga një dhe se llogaritë do të bëhen në maj.

Vila, a është gati Teuta për duelin ndaj Vllaznisë?

Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga sfida si ajo me Tiranën, takim ku pavarësisht se fituam kemi parë çfarë ka vend për përmirësim dhe besoj se jemi gati për nesër (sot). Pas një jave shumë pozitive si ajo e kaluara duhet të ruajmë vazhdimësinë.

Një tjetër trepikësh këtë javë do të ishte me shumë vlerë. Si e shihni?

E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos pas dy fitoreve radhazi në dy javët e kaluara. Kemi fituar dy ndeshjet e fundit dhe s’kemi pësuar gol. Duhet të vijojmë të punojmë fort që të arrijmë akoma më shumë sukses.

Si e keni përgatitur këtë ndeshje?

Ashtu sikurse për çdo takim, kujdesemi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Normalisht që për të fituar duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht jam gati.

Teuta vjen në këtë përballje pas dy fitoreve, ndërsa kundërshtari pas një ecurie jo të mirë. Sa ua vështirëson kjo dhe a besoni te fitorja?

Sigurisht që për skuadrën tonë është një situatë mjaft e mirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Vllazninë. Sigurisht, pas rezultateve të mira në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na japin shpresë për ndeshjen e ardhshme.

Tashmë jeni larguar nga vendi i fundit, mendoni se do të ngriheni edhe më shumë?

Në këtë moment nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet që kemi sipër nesh. Duhet t’i fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet ndeshje pas ndeshjeje.

Cilët janë objektivat tuaj për këtë sezon?

Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"