“S’ka më largime, lojtarët kanë ‘rilindur’”, Duro: E nisim me fitore vitin, Abazaj me shokë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2020 | 10:09

“S’ka më largime, lojtarët kanë ‘rilindur'”, Duro: E nisim me fitore vitin, Abazaj me shokë…

Shpëtim Duro ka mbetur më shumë se i kënaqur nga ditët turke. Disa lojtarë kanë “rilindur” dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë dëmtim. Kaq i mjafton trajnerit për ta quajtur Kukësin gati. Assesi nuk do t’u thoshte “jo” zëvendësuesve të Kitanovskit dhe Dakut, ndërsa qetëson në një lloj forme edhe tifozët për Vasil Shkurtajn. Përtej zërave për një shitje të mundshme, tekniku 60-vjeçar paralajmëron se nuk do të ketë largime në këtë merkato dimri. 

shpetim duro

Nuk kishte si të mos fliste edhe për dy ndeshjet e parë të vitit, ndërsa hapur e thotë që me Luftëtarin pret vetëm e vetëm fitore. Këto edhe të tjera i rrëfen në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport” pak orë pasi janë kthyer në Shqipëri.

shpetim duro

Sa ju shërbeu kjo minifazë përgatitore?

Kemi zhvilluar një minifazë përgatitore prej 2 javësh në Antalia, me kushte jashtëzakonisht komode. Skuadra zhvilloi stërvitje mjaft efikase, ku serioziteti dhe profesionalizmi ishin në rend të çdo dite. Unë them që ishte një periudhë shumë pozitive, pasi lojtarët kanë marrë ngarkesën e duhur gjatë qëndrimit në tokën turke. Por, më e rëndësishmja është që e kemi ekipin e plotë. Për fat, nuk kemi pasur asnjë dëmtim dhe dihet që fazat përgatitore janë gjithnjë të rrezikshme. Java e parë ka qenë shumë e ngarkuar sa i përket intensitetit, ndërsa programi për të dytën ndryshoi disi. E ulëm disi ritmin dhe numrin e seancave, duke u alternuar edhe me miqësore. Jam shumë i kënaqur me efektet dhe rezultatet e arritura nga kjo minifazë.

Deri tani asnjë afrim, çfarë po ndodh me Kukësin?

Nuk jam fokusuar te merkatoja. Dhe kjo, për një arsye të thjeshtë, skuadra është pothuajse e plotë në të gjitha repartet. Shumë lojtarë kanë “rilindur” përsëri dhe kjo më jep qetësi. Abazaj që nuk ka pasur ndeshjet e duhura sezonin e kaluar prej mungesës së fazës përgatitore me grupin, Obanor nuk ka qenë gjatë periudhës së verës, por edhe Kotobelli e Gavazaj, të cilët nuk kanë pasur shumë ndeshje sezonin e shkuar, kanë ardhur gjithmonë në rritje.

Domethënë, nuk pret Duro afrime?

Sikundër edhe dihet, na janë larguar vetëm Kitanovski e Daku për arsye të ndryshme. Nëse do të mund t’i zëvendësojmë këta futbollistë deri në fund të merkatos, mirë do të ishte. Do ta na rriteshin alternativat, ndonëse nuk është shumë e domosdoshme. Skuadra edhe kështu është gati për rifillimin e gjysmën e dytë të sezonit.

shkurtaj duro

E tundon klubin oferta për Shkurtajn, i druheni ndonjë largimi të mundshëm që këtë merkato? 

Kemi zhvilluar dy miqësore me skuadra serioze, të top-ligës turke dhe rumune. Kukësi ka performuar jashtëzakonisht mirë dhe lojtarët kanë qenë nën vëmendjen e skautëve të ndryshëm. Përshtypjet kanë qenë me të vërtetë shumë pozitive. Lojtarët kanë qenë thuajse të gjithë në nivelin e duhur dhe janë shfaqur shumë mirë. Besoj se nuk do të ketë largime. Momentalisht futbollistët janë të ndërgjegjshmen dhe të fokusuar te zhvillimi i pjesës së dytë të sezonit.

Sa e keni vlerësuar ndeshjen me Luftëtarin?

Jemi totalisht të përqendruar te kjo ndeshje, pavarësisht pozicionit të Luftëtarit. I kemi dhënë vlerësimin maksimal, pasi duam që të arrijmë objektivin, që është fitorja.

Do të luani me Partizanin në stadiumin e ri. A do t’ju shërbejë ky fakt? 

Është diçka e veçantë, që do të luhet në një impiant modern dhe jo vetëm për futbollistët, por edhe për ne drejtuesit e Kukësit dhe Partizanit. E megjithatë, të mendojmë fillimisht për ndeshjen e radhës. Fokusi aktualisht është ndeshja e së mërkurës.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"