“S’ka lidhje sigurimi i Europës, Laçi luan për trofe”, Malota i dërgon mesazh ish-ekipeve që varen nga kurbinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2022 | 21:15

“S’ka lidhje sigurimi i Europës, Laçi luan për trofe”, Malota i dërgon mesazh ish-ekipeve që varen nga kurbinasit

Laçi e pret me qetësi finalen e Kupës, takim i cili do të luhet nesër në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”, pasi kurbinasit e kanë siguruar pjesëmarrjen në Europë përmes kampionatit. Por ky fakt nuk do të thotë asgjë për Renato Malotën, i cili në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, pohoi se sezoni i Laçit quhet i suksesshëm nëse fitojnë Kupën.

malota

Vllaznia, që është kundërshtari i finales apo Kukësi që e mbylli kampionatin i katërti, biletën europiane e kanë në dorë të kurbinasve. Malota pohoi se ndien keqardhje për të dy ish-skuadrat dhe tifozëritë e tyre, po i tillë është futbolli dhe çdo futbollist synon të fitojë trofe. Mbrojtësi lezhjan analizon sezonin e kurbinasve me të mirat dhe të metat, tregon çelësin e suksesit të Laçit dhe ka besim se ekipi mund të bëjë mirë edhe këtë verë në Europë.

Si e vlerësoni sezonin dhe a mund të arrinit më shumë me Laçin?

Kampionatin e këtij sezoni do ta quaja deri diku të suksesshëm nëse ne fitojmë Kupën. Mendoj se do të kishim bërë më mirë po të mos u bënin disa ndryshime para se të fillonte kampionati. Gjithsesi, e mbyllëm të dytët kampionatin, që është një gjë pozitive për skuadrën e Laçit.

Luani finalen e Kupës me Vllazninë. Duke qene se e keni arritur Europën, sa të motivuar jeni si ekip për takimin e nesërm?

Nuk ka rëndësi se e kemi siguruar apo jo Europën. Ne luajmë për trofe dhe çdo futbollist e ka ëndërr të fitoje sa më shumë trofe në karrierën e tij personale. Ndaj, për këtë jam i bindur që gjithsecili nga ne do të bëjë maksimumin që Kupën ta çojmë në Laç këtë vit.

Vllaznia dhe Kukësi, dy ish-ekipe me të cilat keni luajtur në të shkuarën, janë dy klube që janë në dorën e Laçit. Për cilën nga këto dy skuadra ju vjen keq po mbeti jashtë Europës?

Gëzoj respekt maksimal për të dyja ekipet, gjithashtu edhe për tifozëritë e tyre. Sa i përket pyetjes, mendoj se do të jetë zhgënjim si për Vllazninë ashtu edhe për Kukësin nëse nuk shkojnë në Europë sepse kanë investuar shumë. Ndiej keqardhje për të dyja në rast dështimi, por i tillë është futbolli.

Vjet shkruat historinë në Europë si klub. Sivjet, po fituat Kupën, mund ta nisni nga turi i dytë. Besoni se mund të bëni më shumë se vjet në Ligen e Konferencës?

Kam besim se mund të bëjmë mirë edhe këtë vit në Europë nëse ruhet grupi dhe bëhen përforcimet e duhura. Ne jemi një ekip që i kemi të gjithë elementët brenda, pra lojtarë të rinj me shumë energji, si dhe ata me eksperiencë. Kjo ndërthurje na ka ndihmuar vjet në Europë gjatë kampionatit dhe kam besim se edhe këtë edicion të ri do të bëjmë mirë.

Cili është çelësi i suksesit të këtij Laçi?

E kam thënë edhe më parë, grupi. Jemi të gjithë si një familje. Harmonia dhe disiplina janë dy gjërat kryesore që na kanë ndihmuar, ndaj edhe ne kemi bërë mirë këtë edicion. Gjithashtu, shumë kryesor te ne është edhe raporti lojtar-stafdrejtues. Gjërat kanë ndryshuar shumë tek ekipi i Laçit kohët e fundit dhe këto që përmenda më lart janë faktori kryesor që skuadra çdo vit po bën mirë e më mirë.

A mund ta dimë të ardhmen e Renato Malotës?

Për momentin jam i fokusuar te finalja e Kupës së Shqipërisë, por të ardhmen time do ta mësoni para pjesëmarrjes në Kupat e Europës.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"