“S’ka kushte për futboll”, mesfushori i Flamurtarit: Jam bllokuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2020 | 20:10

“S’ka kushte për futboll”, mesfushori i Flamurtarit: Jam bllokuar…

Kreshnik Nebihu është “ngujuar” në Kosovë. Mesfushori ka mbetur i bllokuar në vendlindje si pasojë e mbylljes së kufijve nga “COVID19”. Flamurtari do të dalë në fushë sot, por 22-vjeçari nuk do të jetë i pranishëm. Atij i mungon futbolli, e megjithatë ende nuk e ka të qartë se kur do të ketë të drejtë që të kthehet në Shqipëri.

kreshnik nebihi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, lojtari nga Mitrovica na rrëfen ditët e vështira të karantinës, si edhe stërvitjen individuale. Duket se edhe ai është në të njëjtën linjë me klubin, pasi mendon se nuk janë ende kushtet që të nisin aktivitetet futbollistike. Mbijetesa duket gati e pamundur, por ai paralajmëron se kuqezinjtë do të respektojnë garën deri në fund.

Kreshnik, si po i kaloni këto ditë të vështira nga “COVID-19?

Si të gjithë të tjerët në karantinë. Jam në shtëpinë time në Mitrovicë. Shyqyr Zotit jemi të gjithë mirë. Shëndeti ka qenë prioritet në këtë kohë. Jemi të gjithë mirë.

Si paraqitet situata aty në Mitrovicë?

Është e qetë. Kjo gjë na gëzon shumë dhe na bën optimistë për të ardhmen.

Gjatë kësaj kohe si jeni stërvitur?

Jam stërvitur individualisht, kuptohet. Na duhet që ta mbajmë gjendjen fizike sadopak dhe të jemi në formë të mirë. Pavarësisht se dihet që është e vështirë. Nuk është e njëjta gjë si të ushtrohesh me grupin. E megjithatë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Këto janë kushtet dhe duhet të përshtatemi.

Kampionati duhet të rinisë më 3 qershor, si e komentoni këtë vendim të dhënë nga ana e FSHF-së?

Të them të drejtën, në këtë gjendje që jemi më mungon shumë futbolli dhe stërvitja. Do isha më i lumtur të luaja futboll. Por nga ana, tjetër mendoj dhe besoj se nuk kemi kushte të duhura që kampionati të rifillojë. Aktualisht kemi një mision global, të mposhtim këtë virus. Shëndeti është mbi të gjitha.

Nesër (sot) ekipi do të nisë stërvitjen, por ju aktualisht jeni në Kosovë. Keni folur me drejtuesit se si do të mundësohet ardhja juaj në Vlorë?

Unë po pres që të hapen kufijtë dhe do të kthehem menjëherë në Vlorë për të nisur punën me skuadrën. Nuk e di se kur do të ndodhë kjo gjë, pasi siç e dini momentalisht janë të mbyllura të gjitha hyrjet dhe daljet. Të shohim çfarë do të ndodhë.

Jeni në fundin e renditjes, por a mendoni se Flamurtari ka shanse që të mbijetojë kur kanë mbetur edhe 10 javë nga ky sezon?

Do të vazhdojmë të luajmë futboll të bukur. Të them të drejtën, besoj se tani do të jetë vetëm për të respektuar garën. Gjithsesi, ne do të bëjnë maksimumin dhe më të mirën deri në fund, duke e parë çdo ndeshje si një finale.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"