“S’ka kohë për lojë cilësore, duhen egërsi dhe pikë”, legjenda Xhambazi: Ja pse Skënderbeu është favorit për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2021 | 17:03

“S’ka kohë për lojë cilësore, duhen egërsi dhe pikë”, legjenda Xhambazi: Ja pse Skënderbeu është favorit për mbijetesën

Situata në të cilën ndodhet Skënderbeu nuk është aspak e qetë dhe ka vënë në lëvizje jo vetëm klubin dhe ekipin por edhe opinionin sportiv të Korçës. Në një gjendje të tillë, kur ethet e rënies nga kategoria janë të forta, në juglindje domosdoshmëria për të reaguar është mjaft e madhe. Duke nisur nga ndeshja e radhës. I këtij mendimi është Dhimitraq Xhambazi, ish-sulmuesi i Skënderbeut.

xhambazi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Xhambazi ka folur për gjendjen e ekipit dhe mënyrën se si korçarët mund të shmangin më të keqen këtë sezon. Fillimisht ikona e klubit korçar është ndalur te humbjet radhazi të ekipit dhe mënyrën sesi korçarët ndëshkohen me lehtësi. Këtë Xhambazi e ka quajtur problem për sa i përket ndryshimeve të shumta në prapavijë dhe moshës së re të lojtarëve që vuajnë, jo vetëm egërsinë e duhur sportive, por edhe eksperiencën e pakët në të tilla nivele.

“Janë bërë shumë ndeshje radhazi që kemi humbur dhe kjo është shqetësim për të gjithë. Skënderbeu i këtij sezoni është një ekip i brishtë dhe ne një gjë të tillë e kemi thënë herë pas here. Por tani duket se humbjet po bëhen seri dhe komplikojnë sezonin. Më shumë sesa humbjet, të shqetëson mënyra sesi ndëshkohet ekipi. E them këtë pasi ndaj Teutës skuadra funksionoi mirë pas golit të pësuar, veçanërisht në gjithë pjesën e dytë të takimit. Por ndëshkohet lehtë dhe kjo vjen si pasojë e eksperiencës dhe mospërqendrimit të ekipit. Prapavija ka pësuar shumë ndryshime dhe nuk është e lehtë që të gjesh ritmin me kaq shumë lëvizje. Jo vetëm kaq, por mbrojtësit e rinj të Skënderbeut nuk e kanë egërsinë e duhur sportive që karakterizon një mbrojtës. Janë shumë të brishtë, më shumë sesa duhet”, tha fillimisht Xhambazi.

Skenderbeu-Apolonia-1-1

SEZONI – Më tej ish-sulmuesi i Skënderbeut u ndal edhe tek objektivat sezonalë të ekipit që janë kompromentuar ndjeshëm nga këto paraqitje. Për Xhambazin nuk ka rëndësi më se si luan një ekip, por vlerë në këtë moment janë pikët dhe për këtë duhet të luftojnë në çdo ndeshje. “Loja e mirë dhe e hapur nuk i shërben më askujt në këto momente ku ndodhet ekipi. Duhet të jemi të vetëdijshëm që pikët kanë më shumë rëndësi se çdo gjë. Prandaj unë jam i mendimit që ekipi nuk duhet të jetë i hapur në lojë, por të kujdeset për të marrë pikë në fund të ndeshjes. Duke filluar nga kjo javë me Vllazninë. Nuk ka rëndësi ku luan, e rëndësishme është pika, edhe një sikur të jetë”, theksoi ish-sulmuesi.

Dhimitraq Xhambazi

RIVALËT – Në garë me Apoloninë dhe Bylisin, Skënderbeu është më i avantazhuar sipas ish-futbollistit korçar. Por Xhambazi shikon në “valle” edhe Kastriotin, pavarësisht se ky i fundit është më i shkëputur në renditje. “Nuk mund të krahasoj kurrsesi Apoloninë dhe Bylisin me Skënderbeun. Skënderbeu ka më shumë cilësi dhe ambicie, por është në një moment të vështirë psikologjik. Jam i bindur se nëse kalojnë këtë moment, nuk kanë pse të druhen nga dy ekipet e tjera që janë cilësuar si rivalë. Për mendimin tim edhe Kastrioti nuk është i qetë edhe pse është disa pikë para zonës së ftohtë”, mbylli prononcimin, Xhambazi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"