“S’jam ndier kurrë si në Kiev”, Salah në kërkim të hakmarrjes kundër Realit: Rezultatin e mësova në spital, momenti më i keq i karrierës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 16:15

“S’jam ndier kurrë si në Kiev”, Salah në kërkim të hakmarrjes kundër Realit: Rezultatin e mësova në spital, momenti më i keq i karrierës

Mohamed Salah përpiqet t’u japë fund spekulimeve për të ardhmen e tij duke këmbëngulur se ai do të jetë një lojtar i Liverpulit sezonin e ardhshëm. Sulmuesi egjiptian, i cili është gati për të luajtur titullar në finalen e Champions-it kundër Realit, ka edhe një vit kontratë në “Anfield Road” dhe nuk ka rënë ende dakord për të rinovuar.

89789

Por 29-vjeçari thotë se detajet e bisedimeve nuk kanë rëndësi përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme sa finalja e Champions-it, përballë një rivali që ai më shumë se çdokush tjetër në skuadër e do të mundur nesër në Paris. Por kur u pyet për të ardhmen e tij në konferencën për shtyp gjatë ditës së hapur për mediat, sulmuesi u përgjigj:

“Nuk kam fokusin te kontrata. Nuk dua të jem egoist. E kam thënë dy muaj më parë: tani ka rëndësi vetëm skuadra. Jam thjesht i përqendruar tek ekipi. Dua të fitoj sërish Ligën e Kampioneve. Dua të shoh Hendersonin që të ngrejë trofeun edhe një herë tjetër dhe shpresoj që më pas të ma kalojë mua. Por unë do të qëndroj këtu sezonin e ardhshëm sigurisht. Do të qëndroj”.

Kjo deklaratë e tij mund të lexohet në dy mënyra: njëra është një lajm i mirë për klubin që do tentojë të zbresë nga froni Mançester Sitin me egjiptianin në skuadër sezonin e ardhshëm, ndërsa tjetri është se në rast se nuk gjejnë marrëveshjen, Salah do të largohet me parametër zero verën e ardhshme.

HAKMARRJA

Trajneri Jyrgen Klop mendon se hakmarrja është një emocion i çuar dëm. Gjermani tha se finalja kundër Realit duhet parë si e izoluar, si një ndeshje tjetër shumë e madhe që duhet fituar. Por Mohamed Salah nuk e harron për asnjë moment atë dëmtim të tij 4 vite më parë nga Ramosi me Liverpulin që në fund u mund 3-1 në finalen e Kievit.

“Më kujtohet kur lashë fushën pas 30 minutave në atë ndeshje dhe ishte momenti më i keq i karrierës sime. Isha me të vërtetë i dërrmuar. Kisha luajtur një sezon të mirë dhe pastaj luaja finalen time të parë të Ligës së Kampioneve dhe të zëvendësoheshe aq shpejt ishte gjëja më e keqe që mund të më ndodhte. E mësova rezultatin kur isha në spital. Mendoja se nuk duhet ta humbnim ndeshjen në atë mënyrë. Nuk jam ndier kurrë më parë kështu në jetën time.” u shpreh Salah.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"