“S’jam mbipeshë, ambienti është super”, Vilfor Hysa flet si lojtar i Lushnjes: Me Xekën, dyshe perfekte sulmi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2020 | 21:56

“S’jam mbipeshë, ambienti është super”, Vilfor Hysa flet si lojtar i Lushnjes: Me Xekën, dyshe perfekte sulmi

Pas pushimit të fund javës, lushnjarët i janë rikthyer dje terrenit stërvitor. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla ka afërsisht dy muaj që përgatitet në kuadër të sezonit të ri dhe ka zhvilluar plot 8 takime miqësore. Afrimi i fundit i verdhejeshilëve, sulmuesi i njohur Vilfor Hysa, me shumë përvojë në futbollin tonë, deklaron se Lushnja e ka zënë vendin midis pretendentëve për Superioren.
VILFOR HYSA
Vilfor, le ta nisim nga ajo që vihet re disi, jeni pak mbi peshë?
Në fakt, ashtu e kam konstruktin, nuk është se jam mbipeshë. Normalisht, 2-3 kile më tepër i kam marrë, sepse pushim kam qenë dhe vetëm stërvitje individuale kam bërë. Jam stërvitur me Roland Peqinin dhe vrapime nga liqenin kam bërë. Te Lushnja kam vetëm dy javë.

Si ju duket ekipi i Lushnjes, që ka bërë shumë ndryshime?
Në këto dy javë që jam te Lushnja, ambienti më duket shumë pozitiv. Ka harmoni në ekip dhe pas shumë ndryshimeve, po fillojmë të përshtatemi me njëri-tjetrin. Po e njohim lojën e njëri-tjetrit dhe do të jemi më mirë.

Mendoni se ju keni gjetur ekipin e duhur dhe Lushnja sulmuesin e duhur?
Lushnja është një ekip me emër të madh dhe shpresoj të ngjitet aty ku e meriton. Lushnja e ka vendin midis pretendentëve për Superiore dhe me kontributin tim dhe të të gjithë ekipit, besoj se do t’ia dalim. Jam pjesë e një ekipi cilësor dhe jam shumë i angazhuar për të bërë më të mirën.

Si e shikoni një dyshe sulmuese Hysa-Xeka?
E thashë që Lushnja ka një ekip cilësor, me lojtarë me dëshirë dhe impenjim. Xeka është një sulmues shumë i mirë në lojën e ajrit dhe unë me lojën poshtë, mendoj se do të shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Detyra jonë është të përgatitemi mirë dhe të jemi në dispozicioni të profesor Gjylës, që e di më mirë sesi mund të funksionojë.
PARTIZANI LUSHNJA
Ju e patë që në miqësoren me Partizanin kishte një pjesëmarrje të konsiderueshme të publikut lushnjar. Keni një mesazh për të?
Shpresoj që të kemi një kampionat me tifozë. Lushnja ka një tifozeri të zjarrtë që do të na jepte më shumë shtysë, tamam si lojtari i 12-të. Dua t’i falënderoj shumë tifozët e Lushnjës për mbështetjen, sidomos për duartrokitjet që mora gjatë miqësores me Partizanin. Një kampionat me tifozë do ta ndihmonte shumë Lushnjën.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"