Situatë qesharake! Skuadra e Formula 1 prezanton pilotin që do zëvendësojë Alonson, por ai i përgënjeshtron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2022 | 22:50

Situatë qesharake! Skuadra e Formula 1 prezanton pilotin që do zëvendësojë Alonson, por ai i përgënjeshtron

Skuadra e Alpine në Formula 1 nuk po kalon një javë të qetë. Fillimisht erdhi lajmi se Fernando Alonso nuk do të rinovonte për sezonin e ardhshëm duke u larguar drejt Aston Martin. Tani, edhe pasardhësi i tij, ka përgënjeshtruar se ka një kontratë për të nisur makinën e saj në edicionin e ardhshëm.

Oscar-Piastri-Alpine-reserve-driver

Alpine bëri të ditur sot se Oskar Piastri, pilot i cili ka fituar kampionatin e F2 dhe ishte pilot prove në këtë skuadër gjatë këtij viti, do të ulej në makinën e lënë bosh nga Alonso duke formuar dyshen me Okon. Por për çudinë e të gjithëve, ka qenë pikërisht Piastri i cili me një postim në rrjete sociale ka përgënjeshtruar gjithçka.

“Kam mësuar se pa miratimin tim, Alpine ka lajmëruar në një komunikatë për shtyp se do të jem pilot për të në vitin e ardhshëm. Është një gabim, nuk kam firmosur një kontratë me Alpine për vitin 2023 dhe nuk do të pilotoj me Alpine në vitin që vjen”, shkruante piloti 21-vjeçar australian.

Sipas mediave ndërkombëtare, menaxheri i tij, ish-piloti Mark Ueber, ka qenë në negociata me Uilliams dhe MekLaren për pilotin e talentuar, pasi mendohet se ai mund të bëhet një yll i të ardhmes në këtë sport.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"