Situatë kaotike te Tomori, Sinella jep dorëheqjen: Divorc i imponuar, shkonin në miqësore me makina private

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2021 | 9:03

Situatë kaotike te Tomori, Sinella jep dorëheqjen: Divorc i imponuar, shkonin në miqësore me makina private

Tomori në kaos total. Skuadra ishte grumbulluar në Urën Vajgurore, por dje është shpërndarë zyrtarisht. Sikur të mos mjaftonte largimi i Endrien Maganit dhe bojkoti demonstrativ i portierit Oltian Harremi, mbrojtësit Ledion Ruço e sulmuesit Brunild Pepa (për miqësoren që u zhvillua të hënën në Ballsh), largohet edhe Bledar Sinella.

Tomori Berat

Trajneri u ka dalë në krahë lojtarëve dhe kërkesave të tyre (që u ankuan për zvarritje firmash dhe dhënie këstesh), ka lënë hotelin që të hënën në mbrëmje dhe pas tij kanë ikur edhe lojtarët. Dorëheqja është e parevokueshme, çka bëri që edhe dje të mos zhvillohej stërvitje.

SINELLA JEP DORËHEQJEN

Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar enkas me trajnerin, i cili radhit të gjitha shkaqet që e çuan drejt këtij vendimi. “I dhashë fund bashkëpunimit me klubin dhe Bashkinë e Beratit. Deklaroj zyrtarisht dorëheqjen nga drejtimi i Tomorit. Keqardhja është shumë e madhe për këtë ‘divorc’ të imponuar nga situata kaotike e faktorëve përgjegjës të skuadrës. Po ndërtoja një skuadër shumë cilësore dhe isha i bindur se me atë grup dhe dy përforcime që kisha në mendje, do ishim një nga skuadrat më të mira dhe pretendente.

sinella

Unë jam trajner profesionist dhe dua t’i shërbej e mbështes futbollistët në kërkesat e tyre. Nuk ka asnjë arsye t’i lë në baltë apo t’u kërkoj llogari në punë, kur skuadrës i mungojnë disa kushte bazike. Nuk po e kuptoja se përse futbollistët nuk po futeshin në sistemin e pagesave apo po vononte nënshkrimi i kontratave dhe dhënia e detyrimit të parakontratës. Stërviteshim pa bazë materiale dhe luajtëm në dy miqësore pa uniformën tonë zyrtare, sepse klubi i ka mbledhur ato.

Për të mos thënë që në Peqin dhe në Ballsh, futbollistët udhëtuan me automjete private dhe kjo ma shtonte stresin dhe frikën për ndonjë aksident të mundshëm. E gjithë kjo, se automjeti i kontraktuar nga klubi për ndeshjet tonë duhet që të priste tenderin për të pasur një kontratë bashkëpunimi.

Nuk dua më të ndalem te zhvillimi i fazës në kushtet e një moti përvëlues afrikan në Berat, kur tradita më parë ka qenë në bregdet ose në Pogradec. Mund të them edhe dhjetëra arsye të tjera që nuk shkonin, ndaj vendosa dorëheqjen e parevokueshme. Më vjen keq edhe për sportdashësit beratas që janë vërtet të ndjeshëm dhe shumë pasionantë, por që për fatin e tyre të keq, ka struktura përgjegjëse që luajnë me ndjenjat e tyre.

Shpërbërja e skuadrës gjatë këtyre 24 orëve ka përgjegjës dhe emra konkretë, unë zgjodha këtë rrugë vetëm që të ndihmoj skuadrën dhe emrin e mirë që ajo ka. Në të ardhmen, po qe nevoja, do të flas akoma më gjatë, për mënyrën se si Tomorin e shfrytëzojnë të paaftët të cilët e kanë katandisur në këtë gjendje, duke e ‘mjelë’ atë dhe jo t’i shërbejnë me përkushtim?!”, përfundoi Sinella.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"