Situatë kaotike te Apolonia, “zhduket” trajneri/ Iku për merkato, Blazi nuk po kthehet nga Italia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2021 | 10:32

Situatë kaotike te Apolonia, “zhduket” trajneri/ Iku për merkato, Blazi nuk po kthehet nga Italia

Ardhur me shumë bujë, por kanë krijuar një situatë kaotike dhe të paqartë brenda klubit fierak. Bëhet fjalë për stafin teknik italian të Apolonisë: kryetrajneri Manuele Blazi, zv.trajnerët Fabricio Antonini dhe Dario Dian, si dhe Daniele Deli Karri, emëruar së fundi drejtor i përgjithshëm, njëherësh dhe drejtor i akademisë së klubit fierak.

blazi

“Kuarteti” italian është larguar qysh të premten drejt shtetit të tyre, me justifikim objektivin e negocimit me dy futbollistë italianë (një mesfushor dhe një sulmues, që janë aktivizuar gjer në Serinë C), për t’i bërë pjesë të Apolonisë për sezonin e ri. Por italianët kanë krijuar jo pak hije dyshimi për situatën e tyre. Ata kishin një biletë vajtje-ardhje dhe duhet të kishin mbërritur në Shqipëri paraditen e kësaj të hëne, gjë që nuk ka ndodhur.

Nga burimet tona pranë klubit fierak, 4 italianët e stafit të Apolonisë nuk kanë informuar në klub për arsyen e moskthimit të tyre kësaj të hëne, por thjesht kanë bërë me dije se nuk mund të fluturojnë dot drejt Shqipërisë dhe vetëm kaq, duke e lënë evazive dhe konfuze situatën, pa qenë e qartë nëse do të kthehen në ditët e mëvonshme apo kanë vendosur të largohen përfundimisht nga Apolonia, duke zgjedhur këtë mënyrë aspak normale.

SITUATA – Kujtojmë që kryetrajneri Manuele Blazi ka vetëm dy javë në drejtim të Apolonisë, bashkë me zëvendëstrajnerin e parë Fabricio Antonini. Të dy kanë drejtuar së bashku në të njëjtat pozicione edhe Hamrun Spartans në Maltë dhe Aja Napa në Ligën e Dytë në Qipro. Dario Dian është pjesë e stafit të Apolonisë që nga koha e drejtimit të Xhovani Kolelës, ndërsa Daniele Deli Karri është bërë pjesë e Apolonisë në janar të këtij viti, bashkë me ish-trajnerin Fabricio Kamarata.

Përtej problemeve me skandalet e basteve në Itali gjatë vitit 2015, Deli Karrit iu besua së pari detyra e drejtorit teknik tek Apolonia dhe këtë sezon u projektua si drejtor i përgjithshëm dhe drejtor i akademisë së klubit. Jo vetëm kaq, por Deli Karri ishte personi që fitoi besimin e plotë të krerëve të klubit fierak edhe për merkaton e skuadrës në tregun e huaj, sidomos për transferimin në Europë të Gjatës dhe Mihanës, ku dështoi me sukses.

Nuk është çudi që mosardhja kësaj të hëne e stafit italian në Shqipëri të jetë një “Arrivederci e in bocca al lupo” për klubin fierak. Për sa i përket Apolonisë, pas largimit të Blazit & CO të premten, skuadra ka mbetur pushim dy ditë dhe vetëm kësaj të hëne i është rikthyer stërvitjes, nën drejtimin e përgatitësit fizik, Nikolin Çoçlli, dhe trajnerit të portierëve, Bledar Vashaku.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"