“Situatë dramatike”, ish-kapiteni i Lushnjës i druhet rënies nga kategoria: Skuadra vuan mendërisht dhe fizikisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2022 | 14:22

“Situatë dramatike”, ish-kapiteni i Lushnjës i druhet rënies nga kategoria: Skuadra vuan mendërisht dhe fizikisht

Lushnja është në krizë të thellë. Ecuria në këto 10 javë të para i ka pozicionuar në zonën e rënies. Rreziku për të rënë është i madh dhe kjo situatë shqetëson këdo në qytet. Më të ndjeshëm janë sigurisht ata që kanë luajtur për këtë fanellë, siç është rasti i Gentian Çelës. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni e quan dramatike gjendjen e ekipit.

Gentian-Cela-ne-sulm-tregon-sherrin-dhe-akuzon-Dedjen

“Situata te Lushnja mua më duket dramatike. Po e filloj nga ndeshja e fundit me Tërbunin, që e humbëm në fushën tonë. U gjendëm në disavantazh dhe po ndalem te 20 minutat e fundit të pjesës së dytë. Asnjë prezencë në zonën kundërshtare në një kohë që duhej presing për të barazuar. Ekipi vuan fizikisht dhe mendërisht. Përveç, nervit nuk kanë qenë mirë as fizikisht. Ekipin e pashë të çoroditur. Me ndërprerjen e kampionatit për disa javë duhet punuar shumë në aspektin fizik. Kur nuk ke lojtarë cilësorë duhet të kesh gjendje. Ekipi nuk ka as cilësi dhe nuk ka as gjendje të mirë fizike. Përderisa ka dhe shumë dëmtime do të thotë që gjendja fizike nuk është e mirë. Mund të ketë 1 ose 2 futbollistë të dëmtuar, por jo kaq shumë. Kjo ka të bëjë edhe me fazën përgatitore”, deklaroi fillimisht ish-mesfushori.

RREZIKU – Lushnja është në sezonin e saj më të keq të 92 viteve të ekzistencës si klub, teksa rrezikon të bjerë për herë të parë në nivelin e tretë.

“Verdhejeshilët veç këtyre, duhet thënë se kanë edhe elementë vendës me eksperiencë. Është koha që ata ta marrin ekipin për dore, 6-7 lojtarë sa janë. Fundja fare, ata e kanë përgjegjësinë kryesore. Një lojtar i ardhur, kuptohet që nuk i dëshiron rezultatet e dobëta, por vitin e ardhshëm gjen ekip tjetër. Ndërsa për lushnjarët do të mbetet ‘njollë’. Të merret maksimumi në tri ndeshje të mbetura dhe të ndërhyhet fuqishëm në janar. Gjithë historinë tonë kemi luajtur në nivelin e parë dhe në nivelin e dytë. Do të ishte turp, për të gjithë ne, jo vetëm për ata që luajnë. Nuk e kam vetëm me këta që luajnë tani. Këtyre që luajnë tani u ka rënë barra që ta shpëtojnë Lushnjën. Nëse vetë jepnin maksimumin, tani duhet të luftojnë për dy vetë. Nuk mund të bjerë Lushnja në nivelin e tretë. Do të ishte një fatkeqësi për të gjithë qytetin, që e do ekipin me mish e me shpirt”, përfundoi Çela.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"