Situatë aspak e mirë te Apolonia, dy ish-trajnerë janë gati të marrin drejtimin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 22:03

Situatë aspak e mirë te Apolonia, dy ish-trajnerë janë gati të marrin drejtimin e skuadrës

Tre ish-trajnerë të Apolonisë ndër vite analizojnë për “Panorama Sport” situatën aktuale te klubi fierak. Starti jo i mirë i kampionatit për fierakët, si dhe problemet që kanë shoqëruar skuadrën së fundmi komentohet nga vlonjati Eqerem Memushi, kavajasi Ndriçim Kashami, si dhe trajneri fierak, Marjol Miho. Dy të fundit janë gati të rikthehen në stolin bardhejeshil nëse klubi u bën një ofertë tani që është larguar Kolela.

eqerem memushi

EQEREM MEMUSHI

“Duke parë ekipin, afrimin e një stafi italian dhe disa lojtarë afrikanë përballë kampionatit superior, mendoj që pretendimet kanë qenë normale, por realiteti është krejt ndryshe. Duke parë edhe ecurinë, 3 herë skuadra ka shënuar e para dhe ka barazuar me Bylisin e Kastriotin, ndërsa me Laçin ka humbur thellë. Stafi italian, pa e paragjykuar, mendoj se duhet ta njihnin ca më shumë kampionatin tonë. Situata tek Apolonia është alarmante, ecuria është e keqe dhe ne që e quajmë veten ‘pjesë të Apolonisë’, shqetësohemi. Kampionati është interesant, i afërt në pikë, jo i vështirë për rikuperim, por po aq i rrezikshëm për zhytje, mjaftojnë dy fitore ose dy humbje. Skuadër e re, lojtarë të rinj, por aty brenda ka resurse. Sipas meje, ka njëfarë hiperbolizimi tek Apolonia. Atje ka talente, por ekzagjerohet. Mendoj se 2-3 lojtarë mund të veçohen, ndërsa të tjerët janë në nivel mesatar, lojtarë normalë, le ta themi troç”, thotë fillimisht Memushi, i cili flet më pas për largimin e Kolelës dhe të ardhmen. “Ka vepruar drejt që është dorëhequr, sepse rezultatet lidhur me objektivat i ka pasur kundër. Tashmë është e drejta e klubit për të vendosur, por, sipas meje, edhe pse presidentët tanë kanë disi doza snobizmi dhe i duan fort të huajt, trajnerët shqiptarë japin më shumë dhe e bazoj në fakte këtë që them. Unë trajner tek Apolonia? Në të tjera rrethana, nëse do të isha trajner i lirë, pse jo, do ta kisha menduar, por tani kam një kontratë dhe një skuadër timen, me të cilën do të luftojmë maksimalisht për më të mirën”, përfundoi trajneri i Orikumit.

Kashami

NDRIÇIM KASHAMI

“Absolutisht që Apolonia ka gjasa të dalë tej kësaj situate delikate. Është ekip i ri, pa eksperiencë dhe nuk është turp lufta e mbijetesës. Pikërisht kjo mungesë përvoje e ka penalizuar në ndeshje të veçanta, si me Bylisin, Kastriotin apo edhe Partizanin. Mendoj që drejtuesit e kanë pasur të qartë që kanë një ekip mbijetese, por futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe kanë qenë relativë teksa kanë gjykuar se mund të arrinin më tepër. Ku ka çeduar kjo Apoloni? Në balancimin e vlerave dhe mundësive përballë një kompeticioni të vështirë si Superliga, ku Apolonia ka përvojën më modeste nga të gjitha ekipet e tjera, por njëherësh edhe futbollistë të rinj shumë të talentuar, krahasuar me cilëndo skuadër të elitës”, theksoi kavajasi. Sa i përket largimit të Kolelës, ai u shpreh: “Nuk e di, por ndoshta duhet të kishte duruar edhe pak. Dakord, ka qenë nën presionin e rezultateve, por duhet t’i jepte më tepër kohë vetes, të paktën gjer në fund të këtij muaji”. Në fund ai deklaroi se e mirëpret një ofertë. “Apoloninë unë e quaj skuadrën timen, sepse me të nuk më bashkon thjesht fakti se kam qenë trajner i saj, por janë lidhje shumë më të thella dhe shpirtërore. Në një rast të tillë, as që do e diskutoja ofertën, por do e pranoja pa kushte, sepse një ekip që e kam për zemër, unë e marr edhe në situata më të vështira, duke lënë mënjanë interesat personale”.

Miho

MARJOL MIHO

“Unë them që kjo Apoloni ka çeduar që në projektin fillestar. Në idetë që ka skuadra dhe presidenti Kokëdhima për të ngritur një ekip me financa modeste, gjëja më e mirë është që të ketë një projekt afatgjatë, minimalisht 3-5 vjet, që ekipi të formojë bërthamën dhe çdo vit të përforcohet me talente nga akademia. Me filozofinë aktuale, jam skeptik dhe mendoj se Apolonia do të vuajë të njëjtën histori si në të shkuarën, e them me keqardhje, por parashoh një ekip që nuk do ta ketë të gjatë në Superligë”, deklaron Miho, i cili ka pak ditë është larguar nga Albpetroli. “Edhe largimi i Mërgjyshit, edhe largimi i Kolelës, për mua kanë qenë gabim dhe mungesë stabiliteti. Nuk është çështje trajnerësh, por duhet një projekt dhe platformë më e qartë dhe me më shumë shtrirje në afatet kohore”, thekson ai. Miho është gati të marrë përsipër drejtimin e Apolonisë nëse drejtuesit i besojnë një projekt afatgjatë. “Po, pa diskutim dhe me kënaqësi të madhe do të kthehesha për të drejtuar Apoloninë nëse më kërkohej, por vetëm me kushtet e mia, që konsistojnë në një projekt afatgjatë”.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"