SITUATA/ Tek Kukësi të karikuar pas ndalesës së Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 17:17

SITUATA/ Tek Kukësi të karikuar pas ndalesës së Tiranës

Kukësi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të luajë nesër në orën 16:45 me Dinamon në “Elbasan Arena”.

ndreca kukesi

Shtyrja me disa ditë e këtij takimi ishte në njëfarë mënyre edhe si një “asist” për Kukësin, sepse tani trajneri Longo do të ketë mundësinë që ta ketë grupin të plotë, pasi për momentin nuk raportohet për lojtarë të infektuar dhe që rezultojnë pozitiv me COVID-19. Për fat të mirë, nuk ka as futbollistë të dënuar me kartonë dhe gjasat janë që italiani të hedhë në fushë lojtarët më në formë.

DILEMAT
Kukësi i Longos thuajse e ka krijuar një fizionomi të vetën gjatë këtyre javëve kampionat dhe nuk është se ka bërë shumë ndryshime sa i përket titullarëve që ka hedhur në fushë.

Edhe ndaj Dinamos pritet që dilemat të jenë të njëjtat, gjithnjë sa i përket krahut të djathtë apo qendrës së mbrojtjes, ashtu edhe majës së sulmit. Kështu, në të djathtë Longo pritet t’i besojë Peposhit nga minuta e parë, ndonëse ka një konkurrencë me Bytyçin dhe Dragoshin, të cilët gjatë ndeshjeve të fundvitit janë alternuar shpesh me njëri-tjetrin.

Sa i përket qendrës së mbrojtjes, Longo po i jep gjithnjë e më shumë besim Markut në krah të Lulajt, çka pritet të sjellë spostimin e Hilës në rolin e tij natyral në mesfushë.

Një tjetër dilemë vijon të mbetet edhe maja e sulmit, e cila prej kohësh ka qenë e tillë, nëse duhet të aktivizojë Puntusin si pykë apo të vijojë të luajë pa një sulmues të mirëfilltë. Sakaq, pjesa tjetër duken të konsoliduar dhe gjasat janë që italiani t’u besojë të njëjtëve titullarëve. Megjithatë, vetëm sot ose nesër do të mësohet realisht se cilët do të hedhë në fushë nga minuta e parë Longo, i cili shpesh edhe surprizon me lojtarët që hedh në fushë.

ATMOSFERA
Pasi janë luajtur katër ndeshjet e radhës të javës së 16-të, Kukësi, edhe pse me një ndeshje më pak, vijon të qëndrojë në vendin e dytë, por me pikë të barabarta me Laçin.

Për këtë arsye, atmosfera në kampin verilindor është ndër më të mirat, pasi sido që të shkojnë gjërat në ndeshjen me Dinamon, do të jenë sërish të dytët, një pozicion që e bën Kukësin të jetë komod në klasifikim.

Megjithatë, ndalesa e Tiranës i ka motivuar akoma më shumë që të synojnë tri pikët ndaj dinamovitëve, që do të mbajnë gjallë kështu edhe ëndrrën e titullit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"