Situata te Lushnja/ Oferta nga Kosova për Hysën, Boni Valeri: Rri në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2021 | 14:07

Situata te Lushnja/ Oferta nga Kosova për Hysën, Boni Valeri: Rri në Shqipëri

Plot 12 afrime ka në plan që të bëjë Lushnja në këtë merkato vere. Me një buxhet të kënaqshëm dhe pretendimet në rritje, klubi do të ndryshojë “kurs”. Nuk do të ketë më lojtarë sa për të plotësuar numrin, por elementë cilësorë dhe me përvojë. Këtë e tha qartë edhe Ilir Gjyla në intervistën e fundit të dhënë për “Panorama Sport”, ndërsa saktësoi se do të jenë tejet të kujdesshëm në çdo ndërhyrje që do të bëhet. Duke marrë më shumë se një formacion, pritet që edhe largimet të jenë po aq.

lushnjaa

Edhe pse të gjithë futbollistët që mbyllën sezonin janë pa kontratë, zyrtarisht “divorci” është shpallur vetëm me 5. Të parët ishin Donald Bejko me Geraldo Hysin, ndërsa tani u shtuan edhe afrikanët Boni Valeri, Ojrazi Abdulxhabar, Alade Hamza. Marrëveshja e tyre me klubin ka skaduar më 31 maj, por stafi teknik nuk i ka më në plane dhe zyrtarisht nuk do të rinovojnë për sezonin 2021-2022.

VALERI – Duket se ka qenë i parapërgatitur për këtë largim, e megjithatë nuk ka në plan që të largohet nga Shqipëria. Flasim për Boni Valerin, mbrojtësin që luajti 16 ndeshje dhe shënoi dy gola me verdhejeshilët. “Tani unë jam pa ekip. Kontrata te Lushnja përfundoi dhe kam folur me menaxherin për një ekip të ri. Jam me pushime në Vlorë, por pres të mbetem në Shqipëri dhe të kaloj në një skuadër tjetër”, është shprehur për gazetën lojtari i linjës së djathtë. Kamerunasi kishte një kontratë 1-vjeçare me Lushnjën, por trajneri Gjyla deklaroi më parë se askush nga afrikanët nuk do të qëndrojë për një sezon tjetër.

HYSA – Vilfor Hysa e ka ndarë mendjen, dëshiron që të rinovojë me Lushnjën. Edhe pse ka zhvilluar më herët një bisedë me klubin, ende nuk është kaluar te shkresat. Duke njohur cilësitë e tij, as ofertat nuk i po i mungojnë dhe më konkretisht nga Kosova. Është vetë sulmuesi që e pohon një gjë të tillë, i cili gjatë një bisede për gazetën “Panorama Sport” tha: “Që nga 1 qershori unë jam lojtar i lirë, sepse deri këtu ishte kontrata me Lushnjën. Është dëshira e mirë për të qenë edhe një vit tjetër te Lushnja, por nuk kemi vendosur asgjë. Për momentin kam dy oferta me dy klube të Superiores së Kosovës. Akoma nuk e kam vendosur. E njoh kampionatin e Kosovës, pasi kam qenë me Gjilanin dhe Drenicën. Deri tani nuk kam vendosur asgjë”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"