“Situata mbetet e njëjtë nëse nuk sjellin atë çfarë kemi kërkuar”, ja kushti për zhbllokim te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2020 | 8:28

“Situata mbetet e njëjtë nëse nuk sjellin atë çfarë kemi kërkuar”, ja kushti për zhbllokim te Vllaznia

Me rikthimin e Vllaznisë në stërvitje pas bojkotit, ka reaguar edhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës. Kryetarja e këtij këshilli, Brisela Kadia, njoftoi dje se ka vendosur që të zhvillojë mbledhjen e asamblesë së klubit Vllaznia sh.a të premten më 29 maj. Në këto tri ditë, në rast se Bashkia Shkodër nuk i dërgon të modifikuara pasqyrat financiare të 2018-ës dhe 2019-ës, që nuk janë miratuar, sepse nuk kanë raportin e këshillit mbikëqyrës, atëherë asambleja s’do i kalojë paratë për lojtarët, stafin dhe të gjithë punëtorët e klubit.VLLAZNIA

Tashmë administrata e klubit duhet të dërgojë të modifikuar edhe buxhetin për vitin 2020, sepse pas pandemisë nuk është e njëjta situatë. Këshilli Bashkiak është njëkohësisht asambleja e klubit Vllaznia. “Kam dalë në këtë konferencë për të sqaruar opinionin publik, lojtarët e Vllaznisë, stafin dhe punonjësit e stadiumit që kanë mbetur pa marrë pagat e tyre dhe të bëj të ditur qëndrimin e Këshillit Bashkiak për situatën e krijuar”, ka thënë Kadia, për t’u futur më pas direkt në temë.

KËRKESAT

“Situata e krijuar te Vllaznia nuk vjen aspak nga Këshilli Bashkiak, përkundrazi, sepse ky këshill po trashëgon situatën e krijuar vite më parë. Ky Këshill Bashkiak që ka edhe funksionin e asamblesë të Vllaznia sh.a në nëntor të 2019- ës zhvilloi mbledhjen e parë si asamble në të cilën është kërkuar që të shqyrtohen pasqyrat financiare të vitit 2018 dhe 2019. Në fakt, pasqyrat e vitit 2018 duhej të ishin miratuar që në nëntor të 2018-ës ose afatin maksimal kanë pasur marsin e 2019-ës.

Një miratim i tillë nuk ka ndodhur dhe për rrjedhojë kanë ardhur të shqyrtohen nga ky këshill aktual. Këto pasqyra financiare nuk janë miratuar nga ana jonë si asamble për shkak të një raporti që është shterues, ezaurues dhe shoqërues për problematikat që janë, ashtu sikurse një problematikë kryesore është fakti që këtyre pasqyrave financiare u mungon raporti i këshillit mbikëqyrës të Vllaznia sh.a ose bordit drejtues siç njihet ndryshe. Në këto kushte pasqyrat financiare nuk mund të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shkodër QKB dhe për rrjedhojë asnjë veprim tjetër që do ndërmerret nga Vllaznia sh.a nuk mund të regjistrohet në QKB. Atëherë pasqyrat financiare janë të paregjistruara, këshilli mbikëqyrës është i paregjistruar. Në këto kushte, unë në cilësinë e kryetares së Këshillit Bashkiak dhe kryetares së asamblesë të Vllaznia sh.a, të premten në orën 11:00 bëj thirrje për të zhvilluar mbledhjen e asamblesë.briselda-kadia

Në këtë mbledhje i kërkojmë kryebashkiakes Ademi dhe administratorit Lici që të sjellin pasqyrat financiare të modifikuara sipas raporteve që janë dërguar, raporte audituese nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, auditi i brendshëm i bashkisë, eksperti ligjor, eksperti kontabël ashtu sikurse edhe hetimi i posaçëm që është zhvilluar nga Komisioni i Kontrollit Financiar i Këshillit Bashkiak. Po ashtu bashkia duhet të sjellë edhe buxhetin e klubit Vllaznia të modifikuar sipas atij raporti që ne i kemi dërguar. Nëse këto dy dokumente, pasqyrat financiare dhe buxheti do të vijnë në mbledhjen e asamblesë së 29 majit të modifikuara, ne do t’i shqyrtojmë dhe do të zhbllokohet ngërçi. Në rast të kundërt, në mënyrë absolute situata do të vazhdojë që të jetë e njëjtë. Mbledhja e asamblesë është e ligjshme, sepse është thjesht shtyrje e mbledhjes së marsit dhe nuk nevojiten 21 ditë për njoftimin”, sqaroi kryetarja e Këshillit Bashkiak, njëherësh numri një i asamblesë së Vllaznia sh.a.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"