Situata kaotike te Vllaznia, përplasjet në bashki lënë një klub të tërë pa rroga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 15:57

Situata kaotike te Vllaznia, përplasjet në bashki lënë një klub të tërë pa rroga

Përplasjet në Bashkinë e Shkodrës kanë lënë pa rroga lojtarët e Vllaznisë, të cilët po futen në muajin e katërt që nuk po paguhen. Që në fund të muajit mars bashkia reagoi në faqen e saj zyrtare, teksa ia kaloi “topin” Këshillit Bashkiak, i cili njëkohësisht përbën asamblenë e klubit shkodran.

VLLAZNIA NE BOJKOT (1)

Për shkak të mosmiratimit të pasqyrave financiare nga ana e Këshillit Bashkiak dhe dështimit disa herë të mbledhjes, ka mbetur peng likuidimi i lojtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të klubit. Gjithashtu, prej pesë muajsh nuk kanë marrë rrogat as pjesëtarët e akademisë dhe punonjësit e fushës sportive “Reshit Rusi”. Bashkia Shkodër, e drejtuar nga Voltana Ademi, tashmë ka një konflikt të hapur me kryetaren e Këshillit Bashkiak, Brisela Kadija. Madje, kjo e fundit ka shigjetuar direkt kryebashkiaken Ademi për situatën në klub.

“Problemet e KF Vllaznia janë tërësisht organizative. Buxheti i planifikuar për 2020-ën është në vlerën 40 milionë lekë (të rinj). Ndërsa buxheti i sh.a. që miratohet nga asambleja e aksionerëve përfshin edhe zëra të tjerë të ardhurash dhe mbi të gjitha, ka pasoja kontraktuale që janë përtej përgjegjësive tona dhe janë marrëdhënie që nxjerrin penalitete të rënda ekonomike dhe morale për shoqërinë në fjalë”, citonte ndër të tjera kryetarja e Këshillit Bashkiak.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"