Situata kaotike te Tomori/ Kryebashkiaku takon 12 lojtarë, Pepa: Sot kthehemi në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2021 | 13:50

Situata kaotike te Tomori/ Kryebashkiaku takon 12 lojtarë, Pepa: Sot kthehemi në fushë

I alarmuar nga situata e krijuar dhe rreziku për shpërndarjen e ekipit, kryebashkiaku është vënë në lëvizje. Pas bojkotit të miqësores nga disa titullarë të hënën, as dje nuk dolën në stërvitje. Kjo revoltë ka detyruar Ervin Demon që të thërrasë në zyrë 12 lojtarë, përfshi këtu Harremin, Ruçin e Demon (që deri dje llogariteshin si largime nga ekipi). Ashtu siç u kishte premtuar, dje është zhvilluar një takim urgjent në bashki.

Ervin Demo

Në orën 18:00 në zyrën e numrit një të qytetit dhe pas një bashkëbisedimi intensiv, kanë gjetur akordin për t’u kthyer në fushë. Duke dëgjuar më parë kërkesat dhe pretendimet e futbollistëve, Ervin Demo i ka bindur që të mërkurën të rinisin përgatitjet në ambientet e stadiumit dhe jo në Urën Vajgurore, ku ishte planifikuar fillimisht grumbullimi deri në mbyllje të këtij muaji. Pas takimit, futbollistët janë shfaqur shumë të kënaqur dhe kjo reflektohet edhe nga deklarata e Brunild Pepës. Sulmuesi për gazetën u shpreh:

“Erdhëm në takimin e sotëm (djeshëm) për të parashtruar kërkesat tona dhe jemi shumë të kënaqur e të lumtur, që zoti kryetar vlerësoi shqetësimin që kishim. Kërkesat tona janë të ligjshme, ndaj na premtoi zgjidhjen e menjëhershme. Kështu që, ne do të rifillojmë përgatitjet qysh nesër (sot) me të njëjtin përkushtim si më parë. Edhe ne jemi njerëz dhe familjarë, ndaj kërkuam një zgjidhje që për fatin e mirë, presidenti na mirëkuptoi”.

Tomori Berat

DILEMAT PËR STOLIN

Skuadra u rikthye, por si do të veprohet me dorëheqjen e Bledar Sinellës. Pasi iu dha zgjidhje kërkesave të lojtarëve dhe situatës së krijuar, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me trajnerin. Nuk dihet me siguri nëse kryebashkiaku Ervin Demo do të insistojë për rikthimin e kavajasit në stol apo do të marrë në konsideratë emërimin e tjetër tekniku për sezonin 2021-2022.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"