Situata kaotike te lojërat me dorë, reagon FSHB: Skandal ndërkombëtar, s’jemi Vuhani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2020 | 13:33

Situata kaotike te lojërat me dorë, reagon FSHB: Skandal ndërkombëtar, s’jemi Vuhani

Federata Shqiptare e Basketbollit, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka reaguar për situatën kaotike që po kalojnë lojërat me dorë, e veçanërisht basketbolli, për shkak të ndalimit që qeveria u ka bërë aktiviteteve në salla të mbyllura. FSHB e konsideron këtë situatë si një skandal profesional dhe ndërkombëtar, teksa autoritetet shtetërore vijojnë ta injorojnë sportin. Në deklaratë theksohet gjithashtu se pallatet nuk janë vatra të rrezikshme për përhapje të virusit dhe se Shqipëria nuk është Vuhani.

teuta-goga-basket-132fbeb4002bfb684203e16d324e_1920x1080

Ja komunikata e FSHB-së, të cilën e lexoi sekretari i përgjithshëm Korab Llazani para medieve: “Situata e pandemisë, ashtu si në gjithë jetën e vendit, edhe në sektorin e sportit të basketbollit, ka sjellë një problematikë shumë të madhe. Nuk mjaftoi ndërprerja e edicionit të kaluar, për të cilin ishim të vendosur për ta përfunduar në parket, por ka vazhduar mbyllja e çdo palestre dhe impianti deri më sot, duke e bërë këtë veprimtari sportive inekzistente.

I jemi drejtuar të gjitha instancave shtetërore, duke filluar nga data 28 maj, dërgimi i udhëzimeve të FIBAs dhe kërkesën për përmbylljen e edicionit 2019-’20 me të gjitha kategoritë në parket dhe për këtë qëllim ne përgatitëm kalendarin sipas udhëzimeve të mbërritura nga FIBA dhe me protokolle të përshtatura për vendin tonë. Përgjigjja ishte negative dhe e bërë publike nga vetë znj. Rakacolli si kryetare e komisionit teknik ‘COVID-19’, prej nga dalin të gjitha njoftimet zyrtare. Kemi kërkuar jo vetëm një informacion për ecurinë e kampionatit por edhe dhe njoftimeve të vendimeve të KD-së për edicionin e ri, si edhe njohjes me veprimtarinë e Ligës Unike, që pritet të fillojë në fund të tetorit, pasi qeveria e Kosovës dhe të gjitha qeveritë e vendeve të Europës e kanë dhënë dritën jeshile për rifillimin, madje edhe me spektatorë.

Shqetësimi ynë kryesor është indiferenca ndaj kthimit të përgjigjes, qoftë edhe negative por sa duket koha nuk i ka mjaftuar autoriteteve të bëjnë një analizë apo t’i përgjigjen kërkesave të sportit, veçanërisht basketbollit dhe kundrejt ndërkombëtarëve. Është për t’u alarmuar sepse tanimë FIBA ka shpallur datat e zhvillimit të aktivitetit ndërkombëtar me grumbullim, gjatë muajit nëntor. Në këto grumbullime do të luhen nga dy ndeshje të cilat ishin të parashikuara me vajtje ardhje.

Kushtet e pjesëmarrjes janë serioze, ekipet duhet të fillojnë përgatitjet për kampionatin kombëtar duke vazhduar me tej me përzgjedhjet për ekipet kombëtare, gjendemi përpara një skandali jo vetëm profesional por edhe ndërkombëtar, duke mos pasur kohë të bëjmë përgatitjen optimale. Nuk e kuptojmë guximin e hekurt të autoriteteve shëndetësore për të mos kthyer përgjigje! Nuk besojmë se pallatet e sportit në Shqipëri janë vatra të rrezikshme Europiane apo botërore ‘COVID’-i, apo të jemi Vuhan”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"