Situata kaotike te Besa, reagon Bizhdili: Lojtarët kanë të drejtë, e zgjidhim shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 9:18


Situata kaotike te Besa, reagon Bizhdili: Lojtarët kanë të drejtë, e zgjidhim shpejt

Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama Sport”, ka pranuar momentin e vështirë dhe ka theksuar se i mirëkupton futbollistët e tij. Ai jep disa detaje të situatës dhe premton se ngërçi financiar do të zgjidhet shumë shpejt.

bizhdili magani

“Po, është e vërtetë që skuadra ka bojkotuar stërvitjen sot (dje), jam në dijeni. I mirëkuptoj futbollistët dhe u jap të drejtë, sepse shumë prej tyre janë familjarë dhe kanë nevojë. E pranoj se është një moment i vështirë për ne që kërkon sakrifica. Jemi munduar të marrim masat dhe një rrogë mujore nga tre që janë pa dhënë do ta jap që sot (dje) për ata lojtarë që janë në Kavajë, kurse për të tjerët nesër. Po ashtu, brenda fundit të këtij muaji do të likuidojmë edhe pjesën tjetër të prapambetur të detyrimeve tona”.

“Këtë sezon është Bashkia e Kavajës që po na ndihmon, duke parë vështirësitë tona. Ky institucion jep 12 milionë lekë (të vjetër) në muaj, pjesën tjetër e mbuloj unë. Është rritur kjo shumë tashmë në 14 milionë, por është çështje procedurash kalimi i fondit dhe kjo krijon vonesa në likuidimin e ekipit. E përsëris, lojtarët janë në të drejtën e tyre dhe i mirëkuptoj plotësisht, por gjithçka do të zgjidhet shumë shpejt. Kaq di të them në këtë moment. Jemi të angazhuar maksimalisht që situata të marrë zgjidhje për të mirën e Besës”, ka thënë mes të tjerash për gazetën drejtuesi kryesor i skuadrës kavajase, presidenti Nexhat Bizhdili, i cili ka vite që financon për Besën.

/PANORAMASPORT.AL/




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com