Situata kaotike, dy brazilianë të mrekulluar nga mbështetja në Rrogozhinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 21:40

Situata kaotike, dy brazilianë të mrekulluar nga mbështetja në Rrogozhinë

Egnatia është një nga skuadrat e Kategorisë së Parë që ka në përbërje lojtarë të huaj. Në fillim të sezonit ishin 3 brazilianë, por aktualisht vazhdojnë me rrogozhinasit vetëm Markos Mateus dhe Gustavo Reinert, pasi Luan Henrike Da Kosta preferoi ta ndërpresë kontratën me klubin.

Egnatia

Mateus dhe Reinert qëndrojnë në hotelin ku janë sistemuar kur mbërritën në Rrogozhinë dhe në këtë periudhë kanë shfrytëzuar ambientet e resortit për t’u stërvitur. Për “Panorama Sport”, dy brazilianët shprehen me shumë mirënjohje për mbështetjen që kanë gjetur nga njerëzit në qytet.

REINERT – “Presim të mësojmë kur do të zbresim përsëri në fushë për stërvitje. Ndërprerja është për të gjithë, jo vetëm për ne, por nuk ka qenë e lehtë të mësohemi me këto kufizime. Ishim mësuar ndryshe, të stërvitemi me shokët e të kalojmë kohën e lirë me ta. Bashkë me shokun tim Markos kemi punuar brenda hapësirës ku jetojmë, sipas programit të stafit, ndaj e kemi pasur më të lehtë kalimin e kohës.

Jam ndier tepër i vlerësuar, sepse për ditëlindjen time kam marrë mesazhe urimi pa fund nga shokët, drejtuesit dhe tifozët. Geni dhe babai i tij, Skënderi, u munduan të na gëzojnë sadopak atë ditë. I falënderoj pa masë dhe u kam premtuar një gol. Mezi pres që të luaj për Egnatian”, tha Gustavo Reinert.

MATEUS – “Është hera e parë që po përjetoj një moment të tillë. Po mundohemi të mos e mbajmë shumë mendjen tek epidemia. Stërvitjet nuk i kemi ndërprerë bashkë me Gustavon, pasi këtu në hotel ka ambient mjaftueshëm për të kryer ushtrime.

Kurdo që të rinisë kampionati, jemi gati. Këtu kemi parë shumë dashamirësi nga të gjithë, drejtuesit e shokët na kontaktojnë shpesh. Shpresojmë që me ndihmën e Zotit të kalojë sa më shpejt kjo gjendje jo vetëm për futbollin. Ndihemi shumë mirë në Rrogozhinë, ku na respektojnë të gjithë. Ishim në formën më të mirë pas fitores me Dinamon, ndaj na vjen pak keq për ndërprerjen”, është shprehur braziliani tjetër, Markos Mateus.

Aldo Buzi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"