Situata e Tiranës, mes pushimeve dhe milionave të merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 17:01

Situata e Tiranës, mes pushimeve dhe milionave të merkatos

Pas mbylljes së aventurës europiane, që nuk zgjati shumë për skuadrën e Tiranës, lojtarët janë lënë pushim nga ana e stafit teknik, deri në një njoftim të dytë për datën fikse kur edhe do të nisin përgatitjet për sezonin e ri. Bardheblutë do të luajnë në Kategorinë e Parë, e cila në mesin e muajit shtator edhe deri atëherë ka ende kohë.

tirana

Por, pavarësisht se klubi është pushim, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për menaxherë të ndryshëm, të cilët janë të interesuar për disa prej lojtarëve bardheblu, që kanë bërë një paraqitje të mirë në sezonin e shkuar, por edhe në dy ndeshjet europiane. Ofertat në drejtim të tyre nuk kanë munguar, por presidenti Halili ende nuk ka vendosur të pranojë ose të refuzojë ofertat, që duhet thënë se janë shumë të majme dhe do të mbushin arkat e klubit për sezonin e ardhshëm, kur edhe gara do të jetë shumë e fortë.

OFERTAT

Deri në këto momente janë të paktën katër lojtarë që kërkohen me ngulm nga disa ekipe jashtë vendit. Merveil, që ishte një nga më të spikaturit e sezonit të shkuar, kërkohet me ngulm nga jashtë vendit dhe shifra për kartonin e tij është e majme, por klubi nuk po bindet për shkak se kërkon që të përfitojë rreth 500 mijë euro.

Gjithashtu, në drejtim të Akuasë ka pasur interesim dhe për të Tirana do të përfitojë 200 mijë euro. Ndërsa për Albi Dokën, mbrojtësin 20-vjeçar që ka spikatur me formën e tij, skuadra kroate e Osijekut ka bërë një ofertë zyrtare dhe është gati të paguajë në klub 250 mijë euro për të blerë kartonin e tij. Hoxhallari e Domgjoni gjithashtu përfliten se kanë oferta.

Gjithsesi, klubi bardheblu duket se nuk kërkon që të nxitohet në lidhje me lojtarët, duke mos dhënë përgjigje për të ardhmen e tyre. Trajneri Ze Maria kërkon një skuadër të plotë për sezonin e ri, pasi vetëm kështu mund ta arrijë objektivin për t’u rikthyer sërish në Superiore sezonin e ardhshëm. Bardheblutë janë në grupin e B, ku do të kenë përballë Apoloninë, Tomorin, Bylisin e Pogradecin si rivalet më të vështira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"