Situata e jashtëzakonshme, reagon presidenti i Bylisit: Qeveria të na ndihmojë, lojtarët presin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2020 | 21:18

Situata e jashtëzakonshme, reagon presidenti i Bylisit: Qeveria të na ndihmojë, lojtarët presin…

Edhe presidenti i Bylisit Besnik Kapllanaj i kërkon qeverisë shqiptare të  gjejë zgjidhje për ngërçin financiar të krijuar në futbollin shqiptar pas ndërprerjes së aktiviteteve sportive për shkak të pandemisë së koronavirusit.

besnik kapllanajj

Nëpërmjet një deklarate publike për mediat, Kapllanaj theksoi se duke filluar që nga lojtarët deri në instancat më të larta të klubit duhet të gjendet një formulë ekonomike që të mos ndërpresë vazhdimin e futbollit në Shqipëri.

Kapllanaj përsëriti kërkesën që të merret si shembull Kosova, ku qeveria akordoi një fond prej 5 milionë eurosh për sportin në këtë periudhë kaotike.

Deklarata për mediat e presidentit të Bylisit Besnik Kapllanaj:

Shqipëria është në karantinë dhe qysh prej 12 marsit 2020, futbolli dhe gjithë aktivitetet e tjera sportive janë ndalur. Nuk dihet se kur do të rikthehet aktiviteti normal. Ndërsa klubet dhe presidentët e vuajnë shumë, ndonëse edhe bizneset e tyre tashmë janë të pezulluara, pasi duhet që të paguajnë stafet, që përfshijnë trajnerët apo dhe lojtarët e burimet njerëzore sipas kontratave që kanë nënshkruar, pa harruar edhe grumbullimet, pasi në radhët e skuadrave tona ka shumë lojtarë të huaj. Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj në një deklaratë për mediat analizon situatën e jashtëzakonshme dhe mjaft të vështirë në të cilën ndodhet vendi ynë, ndërsa kërkon që Qeveria të bëj detyrën edhe me futbollin në këtë moment, sepse është një biznes më vete: “Edhe pse vendi është në një situatë të paprecedentë, mendoj se ka ardhur momenti që Shteti Shqiptar dhe sidomos Ministria e Sportve të bëjnë detyrën me futbollin shqiptar që paguan taksa në shtet ashtu si Çdo biznes tjetër,ndaj shteti ynë të ndjekë shembullin e Kosovës. Jo më larg se sot kemi mësuar se, Ministria e Sportit në Kosovë dha një fond prej 5 milion eurosh për sportin, që është me të vërtetë tejet pozitiv. Imagjinoni, nëse jepet një fond i atillë edhe në Shqipëri të paktën për këtë periudhë krize, besoj se do të jetë shumë pozitive dhe një shtysë shumë e madhe për klubet tona, në mënyrë që të mos cënohemi edhe më shumë në xhepat tanë. Kështu edhe sponsorët, duke qenë se aktiviteti nuk vijon shohin si rrugë të vetme largimin. Ndërkohë që edhe lojtarët me të drejtë kërkojnë pagat mujore sipas kontratës, sepse ne shumicën i kemi familjarë. Kjo kërkesë është një e drejtë që na takon edhe neve si futboll, sepse ashtu siÇ ne kemi detyrime ndaj Qeverisë, tashmë është koha që Qeveria të përgjigjet ndaj nesh duke qenë se paguajmë taksa. Në një situatë të atillë, që unë shpresoj që të kalojë sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja, klubet me të drejtën e tyre dhe duke qenë se janë cënuar nga kjo ndalesë e garës, kërkojnë që të përfshihen edhe ato në buxhetin që po jep Qeveria shqiptare, në mënyrë që aktiviteti i tyre të mos cënohet dhe futbolli që është i vetmi mjet argëtimi dhe sporti më i vjetër dhe më popullor që ka më shumë interes në vendin tonë të vijojë të mbahet në këmbë, e pse jo për ta çuar edhe më lartë”, – tha presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"