Situata alarmante, Duka paralajmëron klubet e Superiores. FSHF sqaron penalitetet për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2021 | 23:44

Situata alarmante, Duka paralajmëron klubet e Superiores. FSHF sqaron penalitetet për…

Skuadrat shqiptare kanë pasur probleme të theksuara sa i përket licencimit, kryesisht për pjesëmarrjen në Europë, madje në sezonet e fundit nuk shkonte më shumë se pesë numri i klubeve që plotësonin kriteret. Duke parë që situata është alarmante, ka qenë vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që i ka takuar të gjithë krerët duke i paralajmëruar për kriteret që duhet të plotësojë dhe ndëshkimet që i presin, pasi ka ndryshuar rregullorja edhe për pranimin në Superiore.

duka-1-600x450

Sektori i licencimit në FSHF ka realizuar këto ditë takime të njëpasnjëshme me Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore, që do të aplikojnë për të marrë një licencë nga UEFA. Pjesë e këtyre takimeve informuese dhe shpjeguese kanë qenë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku. Takimet u zhvilluan javën që lamë pas, duke nisur me Apoloninë dhe përfunduar me klubin e Laçit. Këtë vit, rregullorja e licencimit të klubeve të Superiores, është përafruar me rregulloren e UEFA-s për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.

KRITERET – Gjatë takimeve, klubet janë njohur me të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë në mënyrë që të pajisen me licencën e UEFAs: kriterin sportiv, infrastrukturor, kriterin administratëpersonel, kriterin ligjor dhe kriterin financiar. Theksi u vu në plotësimin e dokumentacionit për plotësimin e katër kritereve të para, që është edhe pjesa më voluminoze. Kriteri financiar mbetet më i rëndësishmi, pasi ka disa klube që ende kanë probleme në detyrimet e prapambetura karshi të tretëve, individëve të veçantë dhe tatimeve. Çdo informacion për kriterin financiar do të duhet të raportohet “online”. Për katër kriteret e para, afati i brendshëm është 31 janar 2021.

Të gjitha klubet duhet të depozitojnë dosjet dhe dokumentet e protokolluara pranë sektorit të licencimit në FSHF. Për kriterin e fundit afati i brendshëm është 28 shkurt 2021, ndërsa afati përfundimtar është 31 mars 2021. Në prill, ekspertët e kritereve do të përpilojnë raportet dhe në mes të muajit, komisioni i licencimit do të japë vendimin përfundimtar për dhënien ose jo të licencës, një klubi. Sektori i licencimit do të zhvillojë sërish një takim me të gjitha klubet dhe do t’u kërkojë të plotësojnë dokumentet sa më shpejt të jetë e mundur. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur në dispozicion të klubeve të gjitha burimet për t’i ndihmuar në këtë proces.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"