Situata alarmante, Apolonia nuk “ vret mendjen” për merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2022 | 22:13

Situata alarmante, Apolonia nuk “ vret mendjen” për merkato

Apolonia është ende larg përforcimit të skuadrës, pavarësisht se faza e dytë e kampionatit nis pas pak ditësh. Klubi fierak nuk është aktiv në këtë merkato dimërore, paçka se i është larguar një lojtar i rëndësishëm në repartin ofensiv.

Apolonia

Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese Skerdilajd Levendi, që firmosi me Egnatian pas moskalimit të provës me Skënderbeun. I vetmi emër që po lakohet në kampin fierak, si afrim i mundshëm është mesfushori dibran Elvis Koraçi, i cili pak ditë më parë u largua nga ekipi i Vorës dhe tani është futbollist i lirë.

Klubi është hermetik në lidhje me emrat e afrimeve dhe largimeve të lojtarëve. Ndër vite, bardhejeshilët nuk kanë qenë në nivelin e duhur në merkato pasi më shumë lojtarë ikin sesa vijnë. Objektivi i Apolonisë mbetet i njëjtë, por me grupin ekzistues vështirësitë e kampionatit do të shtohen, duke ditur që kundërshtarët po përforcohen nga dita në ditë. Gjithsesi, ekipi po stërvitet me intensitet të plotë. Sërish ka pasur mungesa në seancat stërvitore, madje më e rëndësishmja mes tyre ka qenë edhe ajo e portierit Armando Çili.

“Gardiani” i ri vijon të mos stërvitet me lojtarët e tjerë për shkak të goditjes së fortë, që pësoi në fytyrë në ndeshjen ndaj Korabit, në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Një tjetër mungesë ka qenë edhe ajo e mbrojtësit Eljo Gjata, ky i fundit prej disa javësh nuk po stërvitet me grupin e lojtarëve për shkak të problemeve me gjurin e djathtë. Rikthimi i të dyve nuk pritet të jetë i afërt, paçka se alternativat në pankinën fierake nuk janë të konsiderueshme. Herë pas here grupi është plotësuar me lojtarë të rinj që luajnë me grupmoshat në akademinë fierake. Konkretisht si portier i dytë me ekipin e parë po stërvitet Divaldo Zema.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"