“Siti është klubi më i mirë në botë, por ndeshja nis 0-0”, Xheko: Do të japim 120%, finalja e ekuilibruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2023 | 21:25

“Siti është klubi më i mirë në botë, por ndeshja nis 0-0”, Xheko: Do të japim 120%, finalja e ekuilibruar

Finalja e Stambollit do të jetë më e veçantë se asnjëherë për Edin Xhekon, që përveçse ka shansin të fitojë trofeun e tij të parë të Champions League në moshën 37- vjeçare, mund ta bëjë këtë përballë ish-skuadrës së tij.

xheko

Ashtu siç ka treguar vetë sulmuesi për “BT Sports”, dueli me Mançester Sitin është sa special aq edhe i rëndësishëm, por Interi i tij do të bëjë gjithçka për ta sjellë në Milano trofeun.

NDJENJAT SI “ISH” – “Të jem në finalen e Champions League kundër ishklubit tim Mançester Siti me të cilin jam shumë i lidhur, është diçka shumë e rëndësishme për mua.

Do të ketë shumë tifozë në stadium, të të dyja skuadrave dhe mezi pres të luaj. Do të jetë padyshim speciale, sepse kam jetuar 4 vite shumë të bukura aty dhe jam shumë i lumtur për trofetë që kam fituar në atë klub. Brezi ynë ishte nisja e epokës së re të Mançester Sitit”.

PREMIER LIGA DHE SERIA A – “Premier Liga është kampionati më i vështirë për të luajtur, por në Itali gjithçka është ndryshe, mendohet shumë për taktikat dhe njerëzit flasin shumë për futbollin. Për më tepër trajnerët italianë janë shumë të përgatitur, të përgatisin për çdo detaj, të thonë çfarë të bësh në çdo situatë.

Për mua ishte diçka e re, kisha dëgjuar për të, por kur e përjeton vetë është shumë ndryshe. Të luash në Utali është diçka shumë e rëndësishme për çdo lojtar. Unë personalisht jam rritur shumë si futbollist në këto 8 vite këtu”.

FINALJA – “Jam i lumtur që luaj në një finale të Champions League dhe mbërrij aty në moshën 37- vjeçare për herë të parë. Kurrë nuk duhet të thuash kurrë, ishte finalja e parë, por mund të jetë edhe e fundit kështu që dua ta shijoj. Kemi pasur një sezon të mrekullueshëm në Champions League, më pak në kampionat, por kemi fituar edhe Superkupën Italiane dhe Kupën e Italisë.

Do të jetë një ndeshje e madhe për të gjithë, sepse të luash një finale të Champions League është çmenduri. Ne e dimë se ndoshta do të përballemi me klubin më të mirë në botë dhe e dimë që ata nisen favoritë.

Besojmë, gjithsesi, në forcat tona, por e dimë që nuk mjafton të japim 100%, por 120%. Sidoqoftë, është një finale dhe niset 0-0, kështu që shanset janë 50- 50 dhe ne do ta përgatisim në mënyrë të përkryer. A do të jetë një finale perfekte? Gjithmonë nëse Interi fiton, pak rëndësi ka me golin tim apo jo”.

E ARDHMJA – “Ndihem mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Vitin e kaluar dhe këtë vit tregova se mund të luaj akoma në një nivel të lartë dhe kjo është ajo që ka rëndësi në fund. Tani unë mendoj vetëm për finalen, pastaj do të mendoj për të ardhmen, por përsëri, ndihem mirë”.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"