Sintoni dhe konkurrencë, trajneri Kashami i bindur: Besa në elitë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2020 | 23:38

Sintoni dhe konkurrencë, trajneri Kashami i bindur: Besa në elitë!

Verdhezinjtë këtë pragsezoni i kanë vënë pikat mbi “i”. Pasi zhvilluan një merkato me prurje mjaft cilësore, kanë luajtur shumë miqësore dhe përtej fitoreve me Skënderbeun apo Bylisin, ajo që bind mbetet niveli i lojës. Për trajnerin Ndriçim Kashami kjo Besë është plotësisht gati për startin e sezonit.

Kashami

Trajneri kavajas e sheh plot optimizëm kthimin e Besës në Superiore, çka e shpreh qartë në intervistën e mëposhtme për “Panorama Sport”.

Kashami, fituat miqësoren e fundit në Ballsh. Cili ishte mesazhi që morët nga skuadra?

Ishte një paraqitje e mirë, përtej fitores. Synimi im ishte korrigjimi i ndonjë defekti në lojë, sepse siç e kam thënë vazhdimisht, fitoret nuk kanë rëndësi për mua, edhe pse realisht ndihem mirë. Themelore për një trajner është vazhdimësia e grupit, konkurrenca në ekip, angazhimi maksimal i secilit në fushë dhe kryerja me fanatizëm e detyrave që jap para dhe gjatë ndeshjes.

A është e stabilizuar mbrojtja me rikthimin e Moqit dhe afrimet e fundit?

Një ekip nuk luan me reparte të veçuara. Duhet të funksionojë si një orkestër, ku secili ka peshën dhe “zërin” e tij. Në këtë kuptim do të thosha se vërtet që në prapavijë kemi disa alternativa cilësore. Konkurrencë dhe vlera kemi edhe në mesfushë e sulm, prandaj thashë se Besa do të funksionojë si një grup, ku repartet luajnë në sintoni me njëri-tjetrin. Nuk e mohoj se prurjet në prapavijë janë cilësore, por mos harroni se kemi dhe dy portierë mjaft cilësorë, si Kuka dhe Dobjani.

A e ka vendosur trajneri Kashami formacionin për sezonin e ri?

Në shumë miqësore që kemi zhvilluar, kemi vëzhguar formën e secilit lojtar dhe e kemi alternuar shpesh formacionin. Tani mund të saktësoj se njoh vlerat e çdo lojtari dhe rolet ku ata mund të japin më shumë. Formacioni nuk është një gjë e ngurtë, ai varet nga performanca e secilit lojtar ndeshje pas ndeshjeje.

kashami

Sot mund ta meritosh formacionin, por javët vijnë njëra pas tjetrës dhe nëse nuk je stabël në angazhim e taktikë, atëherë stoli për atë punë është. Për fat të mirë, Besa ka sot edhe një stol të fortë. Çdo lojtar është në formacion, sepse vërtet e ka merituar, por po aq lehtë mund ta lërë atë.

Me gjithë këta tregues, Besa juaj është gati për startin e kampionatit nëse fillon shpejt?

Nuk kemi asnjë lojtar të dëmtuar. Do të zhvillojmë miqësore përsëri, duke parë ndonjë gjë të vogël për të përmirësuar. Nga stërvitja që zhvilloj përditë dhe nga miqësoret shpreh bindjen se Besa është plotësisht e gatshme. Ky grup për mua mjaft cilësor i ka të qarta synimet dhe mundësitë për ta arritur atë. Rikthimi në Superiore është objektiv real dhe i arritshëm.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"