Sinella shmang nostalgjinë: Respekt për Besën, por tani familja është… Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2020 | 12:45

Sinella shmang nostalgjinë: Respekt për Besën, por tani familja është… Tomori

Tomori kërkon kthesën përballë Besës, kundërshtar me të cilin do të masë sot forcat. E dinë që përballë kavajasve nuk do ta kenë të lehtë, por në shtëpi nuk kanë në plan që të falin. Këtë e thotë edhe Bledar Sinella, trajneri i beratasve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kavajasi nuk e mohon që kjo sfidë e bën nostalgjik dhe e mbush me emocione, por si profesionist i vërtetë llogarit vetëm trepikëshin.

Tomori stervitet Sinella

Tomori kundër Besës, si ndihet Sinella para kësaj sfide?

Emocionet janë të pashmangshme, pasi vihem përballë ekipit ku jam rritur si futbollist dhe kam kontribuuar si trajner. Kavaja është qyteti im, por nuk dua aspak të jem i varur nga kjo nostalgji. Ashtu si kam vepruar si futbollist profesionist, do t’ia dal edhe si trajner. Edhe pse jam kavajas autokton, e konsideroj Beratin dhe Tomorin si familjen time. Dhe si i tillë, nesër (sot) dua të fitoj.

Si paraqitet aktualisht situata në ekip në prag të kësaj ndeshjeje?

Gjendja është optimale. Futbollistë, staf e drejtues kemi një harmoni të shkëlqyer që na ka motivuar të kërkojmë suksesin ndaj Besës.

Cila është arma juaj më e fortë, që mund të mposhtë Besën?

Egoja dhe dëshira për pikët, kjo është arma jonë më e fortë. Kur futesh në fushë me bindjen se duhet të marrësh atë që meriton, atëherë objektivi bëhet më i lehtë për t’u realizuar. Kemi një frymë shumë optimiste, e cila do të bëjë diferencën në raport me kundërshtarin.

Po në rast se Besa ju shkakton humbje…?

Kemi marrë që të gjitha masat që të dalim fitimtar. Luajmë në Berat dhe synojmë të japim dhe të marrim maksimumin. Vijmë nga një ndeshje shumë e bukur me Turbinën, pavarësisht se na dënoi fati në fund me atë barazim.

Çfarë note do t’i vendosnit ecurisë së Tomorit deri në këtë fazë?

Unë nuk kam asnjë dyshim dhe nuk dua të hezitoj për ta cilësuar si një ecuri shumë pozitive të gjithë performancën e skuadrës sime, Tomorit. Bën përjashtim vetëm një humbje në Vlorë, që nuk e meritonim. Pastaj e gjithë pjesa tjetër ka qenë një ecuri dhe paraqitje e kënaqshme.

A mund të konsiderohet si objektiv i arritshëm ngjitja në elitë, duke parë diferencën në pikë me vendin e parë?

Diferenca në pikë me vendin e parë nuk është e paarritshme. Përkundrazi, e konsideroj si të rikuperueshme. Vlen të risjell në vëmendjes se objektivi ynë mbetet renditja në katër vendet e para deri në përfundim të dy fazave të para. Sikurse e kam trajtuar edhe në periudhën para startit të këtij kampionati, në fazën e tretë nis edhe beteja e madhe për të synuar rikthimin në Superiore.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"