Sinella: Penallti e dyshimtë. Dominuam, na rrezikonin vetëm me rivënie anësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2017 | 16:17

Sinella: Penallti e dyshimtë. Dominuam, na rrezikonin vetëm me rivënie anësore

Bledar Sinella mendon se ekipi i tij ka humbur tre pikë në ndeshjen kundër Vllaznisë, ku ai beson se Laçi meritonte më shumë pasi kishte dominuar plotësisht ndeshjen. Tekniku i kurbinasve, në “Gol pas Goli” theksoi gjithashtu se kishte dyshime edhe për penalltinë që vendosi ndeshjen në favor të skuadrës vendase.

sinella

Për rezultatin e ndeshjes

“Nuk mendoj se ishte ndeshje e barabartë, ishte e dominuar nga ne. Në pjesën e parë kishim 4-5 raste të pastra për të shënuar, në 45 minutat e dyta e mbajtëm kundërshtarin në portën e tij. pastaj gjyqtari e zgjidhi ndeshjen me atë penallti, për të cilën kam shumë dyshime. Por nuk mund të them shumë se isha në krahun tjetër të fushës. Sapo fola me lojtarin që gjoja shkaktoi penallti, ai më thotë se ka marrë një goditje me takë nga kundërshtari. Unë nuk dua të merrem shumë me atë punë. Por them se e dominuam lojën, nuk na rrezikuan asnjëherë përveç rivënieve anësore”.

Për mungesat në këtë ndeshje

“Dëmtimet dhe mungesat janë pjesë e lojës, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Llogaritë do t’i bëjmë me lojtarët që kemi në dispozicion. Jam i kënaqur nga skuadra, mungoi vetëm goli, por këto janë mundësitë tona”.

Për luftën për mbijetesë

“Duke vazhduar të luajmë në këtë mënyrë, me këtë ritëm e cilësi, besoj se nuk do të kemi problem mbijetesën. Por edhe sot, e thashë që jam i kënaqur me skuadrën, kam shumë rezerva me penalltinë”.

Për gjendjen e Vucajt dhe Serxhios

“Ata nuk janë në 100% e tyre. Vucajn e kemi sakrifikuar me Partizanin duke e futur në formacion me një ditë stërvitje. Serxhio është lojtar me oshilacionet e veta pasi ka ardhur nga Skënderbeu pothuajse pa asnjë ditë stërvitje”.

Për duelet në vazhdim

“Çdo ndeshje është finale, edhe në pjesën e parë kishim katër raste të pastra. Ne i kapëm në kundërsulm kundërshtarët por nuk arritëm të shtyjmë topin përtej vijës fatale, nuk e di pse. Porta u godit disa herë dhe ekipi kundërshtar ishte në 16-she. E luajtëm nga fillimi deri në fund dhe dominuam këtë takim”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"