Sinella jep dorëheqjen, trajneri tregon arsyet e largimit nga Tomori
Bledar Sinella largo het nga Tomori. Trajneri ka dhënë dorëheqjen, duke i dhënë fund këtu aventurës në pankinën e beratasve. Kavajasi mbylli një sezon të suksesshëm, aq sa elita ishte vetëm 90 minuta larg. Edhe pse pak ditë më parë ai rrëfeu ofertat që i kishin ardhur nga ekipe të elitës dhe e Para, sqaron se nuk është ky shkaku që e çoi drejt këtij verdikti. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai zbulon se “divorci” erdhi me mirëkuptim të plotë dhe se dëshiron të reflektojë pas një kampionati të ngarkuar emocionalisht.
“Në mirëkuptim të plotë dhe kryekëput profesional, dua të njoftoj ‘divorcin’ zyrtar me Tomorin. Kuptohet, që nuk është aspak e lehtë. Kjo, për shkak të marrëdhënieve dhe afeksionit që kam me skuadrën dhe klubin beratas. Aq më shumë, kur midis palëve ka pasur dashamirësi dhe gatishmëri për sezonin e ri. Arsyet e këtij largimi janë krejtësisht profesionale. Pavarësisht ofertave të vazhdueshme për të vijuar bashkëpunimin, nga sot (dje) nuk jam më trajner i Tomorit. Kam pasur mbështetjen maksimale nga strukturat drejtuese dhe jam munduar që t’u përgjigjem me punë. Rezultatet e sezonit 2020-2021 janë pasqyra më e mirë e këtij bashkëpunimi.
Nuk më mbetet tjetër, vetëm t’i uroj suksese skuadrës dhe drejtuesve të klubit si dhe presidentit Ervin Demo. Sinqerisht, shpresoj që ta vlerësojnë me notë maksimale punën time, pasi shërbesa ime ka qenë në shkallën më maksimale të mundshme. Më duhet të sqaroj se ‘divorci’ ka ardhur as për shkak të ofertave që unë kam marrë nga Superiorja dhe Kategoria e Parë. Vjen si një lloj reflektimi profesional, pas një sezoni të ngarkuar emocionalisht dhe kushteve të krijuara gjatë kësaj periudhe. Në mënyrë të veçantë, dua të falënderoj të gjithë sportdashësit beratas, që ditën të bëjnë dallimin midis punës profesionale me të cilën unë i shërbeva futbollit beratas dhe ‘paçavureve’ që prodhon ambienti i futbollit, me ndikim në të gjitha nivelet drejtuese. Pavarësisht kësaj, unë uroj me gjithë zemër rikthimin e Tomorit në elitë dhe këtë e bëj jo vetëm në respekt të punës që kam zhvilluar, por më së shumti në respekt të historisë së klubit”, përfundoi tekniku kavajas.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"