Sinani: Sulmi ka patur probleme, por gjithçka do shkojë në vend. Vllaznia nuk e rrezikon mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2017 | 21:38

Sinani: Sulmi ka patur probleme, por gjithçka do shkojë në vend. Vllaznia nuk e rrezikon mbijetesën

Vllaznia nuk e ka nisur aspak mirë sezonin. Përveç lojës së dobët në këto 4 javë, shqetësimi kryesor lidhet me golat. Në 360 minuta, vetëm 2 herë e kanë dërguar topin në rrjetë, me një mesatare prej 0.5 golash për ndeshje, që sigurisht që nuk u shkon për shtat shkodranëve.

Sinani ne stervitje

Këtë shterpësi të sulmit e evidenton edhe ish-goleadori i Vllaznisë, Vioresin Sinani. Rekordmeni i golave në Shkodër, por edhe ndër më të mirët në rang kombëtar, në një bisedë për “Panorama Sport”, shprehet se sulmi i Vllaznisë po shfaq probleme që në javët e para.

“Sulmi ka patur probleme. Në këto katër javë të luajtura në Kategorinë Superiore janë vetëm dy gola të shënuar. Unë qëndroj me shpresën se lojtarët e sulmit do të arrijnë që ta justifikojnë këtë fanellë, e cila ka një peshë të madhe.

Shpresoj që këtë vit të jemi ndër ekipet kryesore që do t’i japë tonin kampionatit. Është pritur pak më shumë në fillim të sezonit, duke parë përbërjen e saj. Por, gradualisht, gjithçka do shkojë në vend. Besoj se të gjithë do të bëjnë më të mirën dhe Vllaznia të jetë një ekip i suksesshëm”, ka thënë fillimisht ai.

PRITSHMËRIA

Për “Viorin”, nuk duhet që të ketë justifikime, sepse kjo Vllazni është më e mirë se ajo e sezonit të kaluar. Ish-bomberi i kuqebluve nuk sheh ndonjë mungesë të madhe në skuadër, aq sa të jetë ekip që të rrezikojë.

“Unë mendoj se Vllaznia e këtij sezoni është më e mirë se sezoni i kaluar. Nuk besoj se kësaj here skuadra do të rrezikojë rënien nga Kategoria Superiore. Në gjykimin tim, unë nuk shoh ndonjë mungesë të madhe në ekip. Megjithatë, ajo që dua të them është se gradualisht skuadra do ta marrë veten duke qenë se është fillimi i sezonit dhe nuk duhet ta kryqëzojmë ekipin për kaq javë sepse është ende herët.

Një rezultat pozitiv në javët pasardhëse besoj se e ndryshon situatën te Vllaznia. Kam besim se skuadra do të arrijë që t’i gjejë këto rezultate pozitive që në ndeshjen e radhës që ka me Flamurtarin. Patjetër që është një kampionat i vështirë, por Vllaznia ka mundësitë për ta treguar veten”, përfundoi ish-bomberi.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"